LAJME

Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë, Kurti i kërkon OSBE-së t’i bëjë presion Serbisë

Diskriminimi i shqiptarëve në Luginë, Kurti i kërkon OSBE-së t’i bëjë presion Serbisë
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Tetor 2026, 18:14

Kryeministri Albin Kurti u takua sot me komisionerin e lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Christophe Kamp, me të cilin bisedoi mbi të  drejtat e komuniteteve.

Në mesin e shumë temave, u shtjellua dhe çështja e diskriminimit sistematik që po iu bëhet shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Kërkova angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik” shkroi Kurti.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Sot prita në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, të cilin e falënderova për vizitën dhe dialogun e vazhdueshëm. Diskutuam për të drejtat e komuniteteve, përdorimin e gjuhëve dhe qasjen në arsim e shërbime publike, si dhe për zbatimin e ligjit në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore. Ritheksova se barazia para ligjit është themel i Republikës sonë: të drejtat mbrohen dhe detyrimet zbatohen njësoj për të gjithë pa dallim.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, në shumë aspekte përtej standardeve evropiane të mbrojtjes. Këto garanci duhet të gjejnë shprehje të plotë në jetën institucionale e shoqërore, përmes angazhimit aktiv të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të tyre, në respektim të ligjeve në fuqi. Mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i ligjit e përforcojnë njëra-tjetrën; përkatësia nuk mund të jetë bazë as për cenimin e të drejtave, as për përjashtimin nga detyrimet ligjore.

Ngrita shqetësimin për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë, përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit në institucionet publike. Kërkova angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik.

Do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit Kamp, me bindjen që të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë obligime komplementare dhe jo parime që garojnë me njëra-tjetrën.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika