Një dokument i ri i Departamentit amerikan të Shtetit e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane. Raporti thotë se stabiliteti që përpjekjet amerikane kanë ndihmuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon. Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.
Lidhur me luftimin e kërcënimeve ndaj SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, dokumenti i veçon Rusinë dhe Kinën si aktorë që “kërkojnë në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët” në rajon. Sipas dokumentit, Moska “nxit pakënaqësi etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor furnizimet me hidrokarbure për të ushtruar presion mbi politikanët”, ndërsa Kina përdor tregtinë, kreditë shtetërore, ryshfetin, propagandën dhe lidhjet me elitat për të zgjeruar ndikimin e saj. Raporti po ashtu thotë se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan”, duke përmendur lidhjet e tyre me kartelet e drogës, trafikimin e narkotikëve, migrimin e paligjshëm, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.





