Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në vend do të krijohet një fond emergjent për të tejkaluar krizën e furnizimit me energji elektrike dhe për të mos lejuar shtrenjtimin e çmimit të rrymës. Megjithatë, ai ka njoftuar se pavarësisht ngritjes së përgjithshme të çmimeve, s’do të ketë lëvizje të pagave.
“Plani ynë i kundërveprimit për krizën e energjisë nuk parashikon rritje të çmimit për familjarët dhe biznesin e vogël dhe nuk parashikon as kufizim”, ka deklaruar Rama, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Ai ka theksuar se kriza pritet të vazhdojë të paktën deri në verën e ardhshme duke shtuar se do të jetë “po aq sfiduese sa pandemia dhe me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin nëse nuk reagojmë”.
Plani i Shqipërisë për përballimin e krizës përmban tri pika kryesore; garantimin e furnizimit pa ndërprerje, mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimit të energjisë dhe garantimin e mjeteve financiare për blerjen e energjisë.
Rama ka thënë se do të garantohet një fond prej 200 milionë euro, ku 100 milionë do të vihen në dispozicion të kompanisë së shpërndarjes së energjisë në fund të këtij viti ndërsa 100 milionë të tjera do të jenë për garantimin e furnizimit dhe mos rritjen e çmimit për familjet dhe bizneset e vogla në fillim të 2022, raporton “EuroNews”.
Kryeministri gjatë deklaratës pranoi se Shqipëria e blen më shtrenjtë energjinë elektrike se sa shet. Ai u shpreh se kjo vjen pasi energjia blihet në kohë thatësire dhe shitet në kohë me shumë reshje.
“Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet. Ne e shesim lirë kur i tërë rajoni përreth nuk ka nevojë për energji. E blejmë shtrenjtë pasi dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Rama pranoi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i shtrenjti në rajon duke thënë se kjo vjen për shkak të përfshirjes në çmim të taksës së qarkullimit dhe karbonit.
“Ne nuk e prodhojmë në vend naftën pasi nafta jonë është naftë e rëndë ajo shitet për nënprodukte dhe kryesisht për bitum. Ne importojmë rreth 600 mijë ton naftë në vit për konsum. Është e vërtetë që janë më të shtrenjtë në rajon (nafta dhe benzina) sepse është brenda dhe taksa e qarkullimit ku vendet e rajonit e paguajnë veçmas. Plus taksë karboni”, ka vazhduar Rama.
Nën presionin e kritikave të shumta për rritjen e çmimeve, kryeministri para paraqitjes së planit të veprimit të qeverisë për krizën energjetike, u shpreh se është e pamundur rritja e pagave dhe pensioneve.
“Në rast se do të rrisnim pensionin minimal në 300 mijë lekë do të falimentonim brenda dy vitesh. Në rast se do të rrisnim pagën minimale në 500 mijë lekë brenda një viti do të përjetonim krizë urie”, ka thënë ai.
Rritja e çmimeve të furnizimit me energji në Evropë ka bërë që në shumë vende të merren masa. Të premten, Shqipëria shpalli emergjencë në furnizim me energji elektrike.