Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën e dytë të aktivitetit ekonomik në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, e ka konsideruar meritor presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për arritjen e marrëveshjes me Kosovën për lëvizje të lirë. Ky problem, sipas Ramës, as që do të ekzistonte po qe se Kosova do të pranonte të bëhej pjesë e kësaj nisme. Presidenti Vuçiq ka thënë që raportet mes Serbisë e Shqipërisë janë në maksimumin historik të tyre
Mospjesëmarrjen e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama , e ka lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e lëvizjes me letërnjoftime. Pas samitit të liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”, në konferencën për media, i shoqëruar edhe nga përfaqësues të shteteve të tjera pjesëmarrëse, Rama ka deklaruar që lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhte nëse Kosova nuk do të refuzonte pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur”.
“Nëse Kosova do të ishte e ulur në tryezën e ‘Ballkanit të Hapur’ dhe nuk do të refuzonte në mënyrë konstante dhe tërësisht të gabuar për të, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë. Nuk thashë se këtë e ka zgjidhur kjo treshe, as që unë dhe Shqipëria kemi luajtur ndonjë rol”, ka deklaruar Rama.
Ai ka sqaruar se si do të ishte e mundshme një gjë e tillë.
“Kam thënë që zgjidhja që iu dha një ngërçi të gjatë dhe të përsëritur është një zgjidhje e kornizës së ‘Ballkanit të Hapur’, në sensin që ne të gjithë këtu qarkullojmë me karta identiteti. Prej kohësh, sot, ata që lëvizin nga Shqipëria për në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe anasjelltas nuk kanë nevojë fare për pasaporta”, ka thënë Rama.
Marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë për lëvizje të lirë Rama e ka konsideruar si “zgjidhje” të “Ballkanit të Hapur”.
“Dje (v.j. e enjte) mund të ishte një tjetër ditë për hir të së vërtetës, dje ne mund të mos ishim këtu, dje mund të ishte një ditë ku mediat tona, të Evropës dhe mbase të botës të ishin mbushur me lajme shqetësuese për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë. Dita e djeshme qartë tregoi se cila është rruga dhe cila është zgjidhja e ‘Ballkanit të Hapur’. Sot duhet ta them këtu me krenari se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhje nga ‘Ballkani i Hapur’”, ka deklaruar ai.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është arritur javën e kaluar pas vizitës në të dy shtetet të të dërguarit të posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Por, për këtë marrëveshje Rama paraprakisht e ka falënderuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si meritor për këtë marrëveshje.
“Ja kam thënë një gazetareje serbe që nuk do të ishte nevoja që të shpenzohej aq shumë kohë e energji nëse edhe Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në ‘Ballkanin e Hapur’. Ia shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke e materializuar këtë zgjidhje ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja, zgjedhja e parë zgjidhja për njerëzit. Kjo nuk i zgjidh të gjitha, as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, ka thënë ai.
E, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar që raportet mes Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi janë në maksimumin historik të tyre.
“Me kujtohet takimi i parë pas 70-80 vjetësh, pas takimit të Titos dhe Enver Hoxhës, kur u takuam unë dhe Edi Rama. Ishte një takim me energji të jashtëzakonshme politike e diplomatike. Ndërkohë që këto takime sot janë takime miqësore”, është shprehur Vuçiqi.
Gjatë dy ditëve është mbajtur aktiviteti i parë ekonomik në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Në hapje të Panairit të Verës të organizuar në Beograd, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë të gjitha shtetet e rajonit njësoj përgjegjëse për luftërat e deritashme në Ballkan. Ai bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u treguan kritikë për vendet që nuk janë përfshirë në nismë.
Kosova ka refuzuar të përfshihet në këtë nismë e pjesë e saj zyrtarisht nuk janë as Bosnjë-Hercegovina dhe as Mali i Zi. Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e Minishengenit ballkanik, prezantuar në Novi-Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë./koha.net/