Si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën 10 bashkatdhetarë ndërsa mbi 40 u lënduan.
E për të shmangur tragjedi të tilla qytetarët po kërkojnë kujdes të shtuar nga kompanitë turistike dhe kontroll më rigoroz nga shteti.
Qytetari Riza Krasniqi thotë se kompanitë që merren me transportin e udhëtarëve nuk i plotësojnë të gjitha kushtet për udhëtim.
Ai thotë se kompanitë nuk iu japin shoferëve kohën e nevojshme për të pushuar, duke i mbingarkuar këta të fundit me punë.
“Për fat të keq, kompanitë të cilat merren me transportin ajror përmes agjencive të transportit ajror apo tokësor nuk kanë korrektësi të mjaftueshme në transportin e udhëtarëve dhe mbi të gjitha i kanë interesat e veta dhe pasurohen në mënyrë të papërgjegjshme… 15:19 Ka lloj transaksionesh që bëjnë edhe kompanitë edhe shoferët. Por, kompanitë nuk iu mundësojnë shoferëve kohë të mjaftueshme për me pushu. Shoferët e kanë një jetë mizerje, nuk kanë kohë me qenë pranë familjeve të tyre. Gjithmonë në rrugë… Besoj që tani është koha që seriozisht me e ndërtua shtetin, jo pasurinë indviduale”, thotë ai për KosovaPress.
Avni Berisha nga Prishtina shpreson që aksidente të tilla sikurse ai i së dielës të mos ndodhin më kurrë.
Ai apelon agjencitë turistike për më tepër kujdes dhe që në rrugë të gjata të kenë nga tre shoferë.
“E kam një apel, që agjencitë turistike me pas shumë ma tepër kujdes, me kontrollimet teknike të autobusëve, me shoferët të cilët i kanë, sepse me të vërtetë është rrugë e gjatë. E di që ata i kanë pasur 2 shoferë, por nganjëherë nuk mjaftojnë sepse rrugë të gjata, kolona, lodhje. Mendoj se duhet me i pas tre shoferë”, thotë ai.
Se autobusët duhet të kenë kamera e thotë Nexhmedin Llapashtica nga Prishtina.
Për të është jashtëzakonisht e rëndësishme që kamera të tilla të vendosen sikurse brenda, ashtu edhe jashtë autobusëve.
“Sa i përket tragjedisë, mungesa e ligjit të kësaj pune ka shkaktuar aksidentin. Çdo autobus në perëndim e ka kamerën në autobus brenda, si nga udhëtarët, si nga vozitësi. Ky autobus nuk ka pasur kamera. Më e rëndësishmja është që shoferët të cilët kanë qenë nuk mund të trajtohen si terrorist ose si vrasës. Ajo ndodh çdo kund dhe duhet me e marrë me lehtësim sepse mund t’i ndodh çdo kujt. Unë mendoj se kontrollimi teknik, dhënia e lejes për transport të udhëtarëve, duhet t’i plotësoj kriteret për kamera. Si në brendësi edhe nga jashtë”, tha ai.
Nazmi Kelmendi nga Fushë Kosova thotë se organet shtetërore të Kosovës duhet të mobilizohen për të gjetur mënyra sesi të evitojnë aksidente të tilla tragjike.
Sipas tij, duhet të krijohen kushte më të mira edhe për udhëtimet me aeroplanë.
“Besoj se organet tona dhe qeveritarët më në fund do të marrin mësim prej pësimeve sepse çdo vit e njëjta këngë, qoftë me automjete, qoftë kjo e fundit ka qenë më e rënda. Besoj se së shpejti duhet të debatohet edhe kjo çështje dhe të rregullohet me të gjitha vendet mike që ia donë të mirën Kosovën”, thotë ai.
Hajrullah Tërnava, i cili jeton në Hamburg të Gjermanisë, thotë për KosovaPress se nuk mund të komentojë lidhur me aksidentin në Kroaci deri sa të dihen zyrtarisht shkaktarët, teksa shton se në përgjithësi Ministria e Punëve të Brendshme dhe policia duhet të vendosin më shumë radarë dhe të ndëshkojnë ata që shkelin rregullat e komunikacionit.
“Ne të gjithë mendojmë qysh me ardhë shëndosh e mirë, mobilizohemi. Në këtë moment kam shumë emocione sepse me marrë atë rrugë dhe me u bë një tragjedi e tillë është e dhimbshme për krejt. Nuk është ky emocion veç tek unë. Merreni me mend tash familjarët të cilët i kanë pritur me padurim duke pyetur ‘a erdhën’, ‘edhe sa’, me e marrë lajmin që vdiqën”, thotë Tërnava teksa uron që në të ardhmen të mos ndodhin aksidente të tilla.
Kujtojmë ditën e djeshme janë varrosur trupat e mërgimtarëve të vdekur në aksidentin tragjik të së dielës në Kroaci.