LAJME

Qytetarët nisin peticion për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë

Qytetarët nisin peticion për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Qershor 2026, 20:37

Një grup qytetarësh ka nisur një peticion online, përmes të cilit kërkohet ndërmarrja e masave të menjëhershme institucionale për adresimin e problemit të qenve endacakë në vend.

Sipas iniciuesve, peticioni synon të nxisë veprime dhe koordinim ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe atyre lokal, pasi, sipas tyre, politikat aktuale të zbatuara nga komunat nuk kanë arritur të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje.

Në përmbajtjen e peticionit thuhet se kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, e cila do të garantonte sigurinë publike, por njëkohësisht edhe trajtim dinjitoz dhe human të kafshëve.

Iniciuesit theksojnë se peticioni nuk ka për qëllim cenimin apo abuzimin e të drejtave të kafshëve.

“Përkundrazi, kërkojmë implementimin e politikave dinjitoze dhe efektive” – thuhet në njoftimin e tyre.

Peticioni u është drejtuar institucioneve kryesore të vendit, përfshirë Presidencës, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjithë kryetarëve të komunave, me kërkesën që të ndërmarrin veprime të koordinuara dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e kësaj problematike.

Qytetarët që dëshirojnë ta mbështesin peticionin mund ta bëjnë këtë duke e nënshkruar atë në platformën online. Pas nënshkrimit, ata duhet ta konfirmojnë pjesëmarrjen përmes lidhjes (linkut) që u dërgohet në adresën e tyre elektronike (email). Organizatorët bëjnë të ditur se pa këtë konfirmim, nënshkrimi nuk regjistrohet si i vlefshëm në peticion./kallxo.xom/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika