Edhe sivjet qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të aplikojnë për subvencione rreth izolimit të shtëpive, ndërrimit të dritareve dhe derës së hymjes.
Kjo pasi Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë lansuar thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.
Me anë të këtij projekti qytetarët që do të përfitojnë, do të subvencionohen për 45% të shumës së shpenzuar për izolim të shtëpisë, izolim të kulmit dhe ndërrim të dritareve dhe dyerve të jashtme.
Në rastet kur shtëpia është në bashkëpronësi të çiftit ose në pronësi të gruas është paraparë edhe një bonus prej 5%.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se thirrja për subvencionim do të jetë e hapur për dy javë.
“Kur kemi dizajnuar pakon, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afatshkurta. Masat janë dizajnuar që të ulen shpenzimet e energjisë për familjet dhe bizneset. Një ndër masat më të mirëpritura nga qytetarët është pikërisht kjo që po e lansojmë sot. Kësaj radhe thirrja parashihet të jetë e hapur për dy javë. Ju ftoj të gjithëve që të aplikojnë sa më parë, pasi kush aplikon i pari përfiton i pari”, tha i pari i ekzekutivit.
E para e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se skema e vitit të kaluar është treguar e suksesshme, andaj edhe sipas saj subvencione të tilla do të ketë edhe viteve në vijim.
“Para tre vitesh fondi nuk kishte asnjë projekt, ndonëse kishte 5 vite që ishte në funksion. Para një viti vendosëm së bashku që të fillojmë skemën për shtëpi individuale që ishte shumë më komplekse se projektet që ishin zbatuar. Kjo skemë jo vetëm që kaloi pa probleme, pa ankesa, mirëpo ishte aq e suksesshme sa është një ndër gjërat që do të mbahet mend për kohë të gjatë. Është kënaqësi që mund të vazhdojmë edhe sivjet këtë skemë të masave, të mbështetur nga BE”, shtoi Rizvanolli.
Ndërsa, nga zyra e BE-së në Kosovë thanë se përveç kursimeve financiare, masat do të luajnë rol të rëndësishme edhe në përmirësimin e ajrit të pastër.
Aplikimi për të përfituar nga këto masa përfshinë:
Hapjen e llogarisë në e-Kosova;
Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;
Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;
Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.
Procesi i aplikimit do të hapet nesër./RTK/