Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton Projektligjin për artin e kulturën në versionin që e ka miratuar të enjten Qeveria, i bie që të shfuqizohen Ligji për Institucionet e Kulturës, Ligji për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, ai për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe për ansamblet e tjera, si dhe Ligji për Teatrot. Miratimi i Projektligjit për artin dhe kulturën në mbledhjen e Qeverisë është parë si sukses i madh nga vetë ekzekutivi. “Me këtë projektligj do të vendosim një standard të ri, një politikë kulturore me vizion të qartë zhvillimor”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku
Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton këtë Projektligj, i bie që të shfuqizohen Ligji për Institucionet e Kulturës, Ligji për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, ai për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe për ansamblet e tjera, si dhe Ligji për Teatrot. Miratimi i Projektligjit për art dhe kulturë në mbledhjen e Qeverisë është parë si sukses i madh nga vetë ekzekutivi. Por kritikat, sidomos për reformën e bashkimit të institucioneve, nuk kanë të ndalur.
Krejt në fillim të Projektligjit përcaktohet se institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës janë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Instituti Kulturor i Kosovës.
Muzeu i artit bashkëkohor nuk ekziston ende, ashtu sikurse instituti kulturor i Kosovës. Për të parin prej vitit të kaluar është duke punuar një këshill iniciues, por ende nuk kanë publikuar ndonjë arritje konkrete. Kurse ai që quhet institut, për herë të parë publikisht u përmend në këtë projektligj.
Në versionin fillestar, nëpërmjet këtij projektligji, Ministria e Kulturës synonte që t’ia merrte Kuvendit të Kosovës mandatin e themelimit të institucioneve qendrore të kulturës.
Në nenin e 5-të të Projektligjit përcaktohej se “Ministria përkatëse për kulturën mund të themelojë institucione publike nga fusha e artit dhe kulturës të nivelit qendror”.
Tash kjo çështje përmendet në nenin e 8-të dhe kompetencat për themelim institucionesh qendrore të kulturës do t’i mbesin Kuvendit.
“Me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mund të themelojë institucione publike qendrore nga fusha e artit dhe kulturës”, shkruhet në pikën e parë të këtij neni.
Sa i përket strukturës hierarkike, MKRS-ja synon që të mos ketë më udhëheqës artistik të institucioneve por vetëm drejtor. Aktualisht disa nga institucionet kombëtare të kulturës kanë drejtor të përgjithshëm dhe udhëheqës artistik. Aktualisht drejtori zgjidhet nga Këshilli Drejtues, kurse me Projektligj pas procedurës së konkursit publik, ministrit të Kulturës i propozohen dy emra dhe ai vendos se cilin ta emërojë. Po ashtu, me Projektligjin e ri nuk do të ketë as këshilla drejtues të institucioneve kulturore. Aktualisht të gjitha institucionet qendrore të kulturës kanë këshilla drejtues të cilët zgjedhin e shkarkojnë drejtorët, e po ashtu miratojnë programet vjetore të punës.
Në versionin që Projektligji është miratuar në Qeveri janë shtuar këshillat profesionalë. Sipas Projektligjit, këto organe të institucioneve këshillojnë drejtorin në hartimin e programit artistik, miratojnë programin artistik të institucionit, mbështesin drejtorin në realizimin e programit artistik. Këto trupa do të përbëhen nga tre anëtarë. Njëri prej tyre propozohet nga ministri i Kulturës, një nga drejtori i institucionit e një nga Këshilli Kombëtar i Arteve.
Po ashtu, parashihet themelimi i Këshillit Kombëtar të Arteve si organ këshillëdhënës, mbikëqyrës dhe përzgjedhës, i cili emërohet nga Qeveria e Kosovës me propozimin e ministrit të Kulturës. Ky këshill do të përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët zgjidhen pas ftesës publike të Ministrisë së Kulturës për nominim të përfaqësuesve nga të gjitha fushat e artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura.
“Nominimet për anëtarë të Këshillit bëhen nga institucionet e artit dhe kulturës, institucionet akademike, arsimore e shkencore, organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës dhe organizmat e tjerë relevantë të fushës së artit dhe kulturës dhe fushave të ndërlidhura”, përcaktohet në Projektligj. E mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe mënyra e kompensimit përcaktohen me akt nënligjor të miratuar nga ministri i Kulturës.
Ky këshill udhëheq procedurën e rekrutimit të drejtorëve të institucioneve publike të artit dhe kulturës në nivel qendror, ia propozon ministrit emrat e kandidatëve të kualifikuar për drejtor të institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës. Më pas pos këtyre, monitoron punën e institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës dhe harton raporte në baza tremujore dhe vjetore. Ka mandat të shkarkojë drejtorët e po ashtu të monitorojë punën e institucioneve publike lokale të artit dhe kulturës.
Në Projektligj, po ashtu, përmendet skena e pavarur kulturore, përcaktohet se shteti do ta përkrahë atë. Përderisa pensioni i parakohshëm i performuesve mbetet të përcaktohet me një tjetër ligj, Projektligji përcakton edhe themelimin e Këshillit të skenës së pavarur kulturore. Kjo trupë harton politikën dhe strategjinë afatgjatë të zhvillimit të skenës së pavarur kulturore përmes mbështetjes publike financiare, dhe në bazë të analizave të sektorëve të artit dhe kulturës i rekomandon Ministrisë orientimin e mbështetjes publike financiare për skenën e pavarur kulturore.
“Në baza të rregullta propozon prioritetet, kriteret dhe modalitetet e skemave mbështetëse të Ministrisë për skenën e pavarur kulturore; Këshilli miraton shumat e mbështetjes financiare për organizatat dhe individët e skenës së pavarur kulturore, bazuar në thirrjet publike që hapen brenda vitit”, përcaktohet në Projektligj.
Derisa ka kërkuar përkrahjen e kabinetit qeveritar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se për Projektligjin e artit dhe kulturës dhe konceptdokumentin që i parapriu kanë punuar për dy vjet. Ka përmendur dhjetëra takime e diskutime të brendshme me komunitetin dhe me profesionistët.
“Mijëra të përshirë në konsultime, kjo është reforma më e madhe e ndërmarrë ndonjëherë në fushën e kulturës. Jemi ambiciozë në politikën tonë të re kulturore. Kulturën duam ta shohim me financim adekuat, ndërsa artistin të jetojë dinjitetshëm nga puna artistike”, ka thënë Çeku. Sipas tij, duan që arti dhe kultura të shndërrohen në kontribuues të rëndësishëm të ngritjes ekonomike dhe zhvillimit shoqëror.
“Projektligji synon t’u japë frymëmarrje institucioneve publike të kulturës. Më pak burokraci e më shumë hapësirë për art e kreativitet. Rrjedhimisht më shumë audiencë e të hyra nga veprimtaria artistike”, ka thënë ai. Sipas ministrit Çeku, Projektligji krijon mekanizma për të ngritur në nivel strategjik bashkëpunimin me skenën e pavarur kulturore. Ka thënë se tashmë ka jo vetëm më shumë buxhet për organizatat e kulturës dhe artistin e pavarur, por edhe programim të fondeve e vendimmarrje të përbashkët me të.
“Puna jonë deri më tani për kulturën e artistin është konkrete dhe e prekshme. Kemi fuqizuar institucionet publike të kulturës dhe kemi shumëfishuar mbështetjen financiare për skenën e pavarur kulturore. Ndërsa tani është momenti që këtë angazhim ta vendosim në nivel tjetër”, ka thënë ai. Në perspektiven e tij, korniza aktuale ligjore në fushën e kulturës është e vjetër, kufizuese dhe nuk u përgjigjet nevojave aktuale zhvillimore të kulturës.
“Me këtë projektligj do të vendosim një standard të ri, një politikë kulturore me vizion të qartë zhvillimor”, ka thënë ai.
Por me këtë projektligj nuk pajtohet të paktën njëri nga drejtuesit institucional të kulturës.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, vazhdimisht ka kundërshtuar që institucioni që ai udhëheq të bashkohet me Operën dhe Ansamblin Kombëtar. Ka paralajmëruar se për këtë do të angazhohen edhe kur Projektligji të shqyrtohet në komisione parlamentare.
“Si BKK, mendojmë që shkrirja e institucionit do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm për veprimtarinë e institucionit. Autonomia artistike dhe financiare ka qenë faktor determinues në sukseset e BKK-së që prej vitit 2006, kur BKK-ja është pavarësuar nga TKK-ja”, ka thënë ai. Sipas Kajtazit, kthimi pas ne hapa do të ishte i dëmshëm për institucionin.
“Kushdo që e ka dhënë si ide a propozimin që Opera, Baleti dhe AKV ‘Shota’ duhet të jenë në një institucion, është totalisht injorant rreth funksionimit të Operës dhe Baletit modern. Sigurisht se do të bëjmë çmos që kjo të mos ndodhë. Ligji duhet t’i lërë të pavarura institucionet e kulturës, siç janë aktualisht, në mënyrë që t’iu garantohet funksionimi normal”, ka thënë Kajtazi.