Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh që përfshijnë emërimin e komisioneve për pozita të larta drejtuese, çështje pronësore e shpronësimi, si dhe mbështetje financiare për kulturën.
Ndër vendimet e miratuara është edhe aprovimi i qiradhënies së parcelave në Zonën Kadastrale Cërnillë të Komunës së Ferizajt, me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Qiradhënia do të zgjasë deri më 18 dhjetor 2033 dhe ka të bëjë me nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
Një pjesë e konsiderueshme e vendimeve lidhet me emërimin e Komisioneve të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese në institucione të ndryshme publike.
Komisionet janë paraparë për procedurat e përzgjedhjes së drejtuesve në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, Thesarin e Kosovës, Agjencinë Kosovare për Standardizim, Inspektoratin e Tregut, Agjencinë për Pronësi Industriale, Agjencinë për Siguri Kibernetike dhe Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Komisione të tilla janë emëruar edhe për pozitat drejtuese në Agjencinë për Inovacion dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, Agjencinë Antidoping, Agjencinë e Sportit, Agjencinë për Zhvillimin e Rinisë, Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Për këtë të fundit janë paraparë komisione edhe për pozitën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm.
Vendimet për emërimin e komisioneve përfshijnë gjithashtu pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe pozitat e drejtorëve ekzekutivë në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.
Po ashtu, është paraparë komision për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Qeveria në detyrë ka marrë edhe vendime që lidhen me shpronësimet për interes publik.
Njëri prej tyre ka të bëjë me shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për pronat ish-shoqërore të Kombinatit Industrial Bujqësor “Mladost”, të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, në Zonën Kadastrale Godanc i Poshtëm, në Komunën e Shtimes.
Pronat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e “Zonës Ekonomike për Mërgimtarët”.
Në mbledhje është miratuar edhe shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësimin, për interes publik, të pronave ish-shoqërore në Zonën Kadastrale Prishtinë, të nevojshme për realizimin e projektit për ndërtimin e “Ndërtesës Administrative” për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Po ashtu, është aprovuar Lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj.
Në kuadër të vendimeve të tjera, Qeveria ka miratuar edhe themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë.
Ndërsa për sektorin e kulturës, janë ndarë 100 mijë euro për mbështetjen e realizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.
Sipas arsyetimit të vendimit, mbështetja synon të kontribuojë në promovimin ndërkombëtar të Kosovës, përmes një festivali që mbledh artistë, profesionistë të industrisë së filmit, media dhe vizitorë nga vende të ndryshme.
Sipas Qeverisë, mbështetja për “DokuFest” përbën investim në promovimin e kulturës dhe identitetit të Kosovës, si dhe në forcimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, duke kontribuar në diplomacinë publike e kulturore dhe në promovimin e potencialit turistik e kreativ të Kosovës.





