Qeveria e Kosovës ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se kjo është masë ndaj Serbisë e cila prej 6 vjetësh ka bllokuar linjat ndërkufitare për tregtim.
Ndalimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, drejtpërdrejt ose përmes transitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta.
“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike më kompanitë serbe si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, ka theksuar Kurti.
Ai gjithashtu ka thënë se për t’u përballur me vështirësitë si pasojë e këtij vendimi të Serbisë, do ta obligojnë Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor si dhe do të vendosin masa emergjente në energji, që ka thënë se përfshijnë obligimin e “Ibër-Lepencit” për ta shitur energjinë e shërbimit publik.
Kurti ka thënë se në dhjetor bëhen 6 vjet prej kur Kosova e ka fituar pavarësinë energjetike dhe nga ajo kohë Serbia bllokon alokimin komercial dhe tregtimin në linjat ndërkufitare me Kosovës.
Kjo sipas tij ka shkaktuar dëme financiare dhe ka rrezikuar furnizimin me energji.
“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, por ajo pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë transit nga Serbia”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se si rezultat i bllokimit të dy linjave të interkoneksionit nga Serbia, ka pasur ditë kur mbingarkesa në linjat me Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, kanë shkarkuar rritje marramendëse të çmimeve.
Kurti ka thënë se vazhdimisht kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që t’i bëjë presion Serbisë t’i lirojë linjat.
“Në dhjetor të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave në Komunitetit e Energjisë ka vërtetuar shkeljen e Traktatit nga Serbia dhe e ka detyruar atë t’i lirojë linjat më së largu deri më 1 korrik të vitit 2026, tani jemi më 16 nënrot 2026”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se pasi kjo nuk është zbatuar kanë bërë përpjekje më BE-në që ta zgjidhin këtë çështje, por se sipas tij as kjo nuk ka dhënë rezultate.
Si pasojë e kësaj Kurti ka thënë se sot po ndërmarrin kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë me ndërmarrje të regjistruara në Serbi ose që kanë pronar me shtetësi serbe.
Kurti ka thënë se në këtë fazë përjashtim nga ndalim bën vetëm furnizuesi me energji i themeluar bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për energji./KOHA