LAJME

Kënga serbe për Kosovën në Bruksel, kryenegociatori Zulfaj kërkon llogari nga Komisioni Evropian

Kënga serbe për Kosovën në Bruksel, kryenegociatori Zulfaj kërkon llogari nga Komisioni Evropian
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Nëntor 2026, 10:40

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj interpretimit të melodisë së një kënge nacionaliste serbe gjatë një aktiviteti të Komisionit Evropian në Bruksel.

Zulfaj ka kërkuar shpjegime nga institucionet evropiane për përfshirjen e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së, të mbajtur më 15 nëntor.

Ai e ka lidhur përmbajtjen e këngës me periudhën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kur autoritetet serbe po kufizonin të drejtat dhe autonominë e Kosovës.

Kënga, e krijuar në vitin 1989, përmban mesazhe nacionaliste dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës, duke kundërshtuar heqjen dorë nga ajo.

Përveç përzgjedhjes së repertorit muzikor, Zulfaj ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e ftesës për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në Forumin e Zgjerimit.

Ai ka kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian për të dyja çështjet, në kuadër të një aktiviteti që synon promovimin e bashkëpunimit dhe integrimit evropian.

Pas reagimeve, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për interpretimin e melodisë, duke sqaruar se ajo nuk përfaqëson qëndrimet e Komisionit Evropian.

https://x.com/JetonZulfaj/status/2122070750433513480?s=20

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika