Qeveria e Kosovës ka miratuar sot shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilat janë prezantuar në mbledhjen e mbajtur më 27 tetor.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se shtesat do të fillojnë së aplikuari nga paga e muajit nëntor.
Teksa e ka bërë prezantimin e këtij propozimi para kabinetit qeveritar, Kurti ka folur për takimin që ka mbajtur dje me përfaqësues të Njësisë Speciale Intervenuese lidhur me këtë çështje.
“Pas përfundimit të përgatitjeve shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë do të prezantohen për miratim sot. Dje kishim takim me zëvendësdrejtorin e PK-së dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese me të cilët diskutuam rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë tonë. Në takim bashkë me Sveçlën e Muratin, i njoftuam dhe siguruam se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët por duke pasë parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”- ka thënë Kurti.
Ndërsa, ka njoftuar se për muajt e deritashëm shtesat do të aplikohen në mënyrë retroaktive.
“Shtesa për rrezikshmëri do të filloj së aplikuari nga paga e muajit nëntor. Kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të pagave ajo do të ndahet në mënyrë retroaktive. Me aprovimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë afër 8000 zyrtarëve policor”- ka thënë Kurti.
Ndërsa ministri i Financave Hekuran Murati tha se është bërë një punë e jashtëzakonshme në mënyrë që të sigurohet një shpërndarjen të drejtë.
“Komisioni për kushte specifike ka bërë punën e vet dhe ka dorëzuar edhe listat përfundimtare, dhe Lista është ajo që është prezantuar edhe nga kryeministri në mbledhjen e qeverisë. Konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe nga grupi punues edhe nga komisioni në mënyrë që të sigurojmë një shpërndarjen të drejtë”- tha ai.
Në mbledhjen e mbajtur më 27 tetor 2023, Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në këtë propozim përfshihet gjithsej 7 kategori të Policëve që janë subjekt i shtesave të rrezikshmërisë.
Ai ka njoftuar për secilën kategori sa do të jetë shuma e shtesave.
“Shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë, 120 për njësitë operative K9 dhe Njësia për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njeherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”- ka bërë të ditur Kurti.
Dje Kurti ka mbajtur takim me pjesëtarët e FIT-it, Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës të cilët më 1 nëntor kane protestuar para Qeverisë për të shprehur pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, pagën, por edhe shtesat e tjera.
Megjithate, Kurti nuk u ka premtuar pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese plotësimin e kërkesave të tyre.
Kështu lë të kuptohet Qeveria në komunikatën e lëshuar pas takimit që ka zhvilluar kryeministi bashkë me ministrat Xhelal Sveçla e Hekuran Murati me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese.