Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të dhjetë në formë elektronike, gjatë së cilës ka shqyrtuar dhe miratuar një nga projektligjet kyçe për sektorin energjetik në vend.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka dhënë dritën jeshile për Projektligjin për Energjinë Elektrike, i cili synon të përcaktojë rregullat dhe masat për funksionimin e këtij sektori jetik.
Sipas njoftimit, projektligji ka për qëllim garantimin e furnizimit të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, ai synon të sigurojë çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij projektligji është edhe adresimi i objektivave klimatike të vendit, në përputhje me zhvillimet dhe standardet ndërkombëtare në fushën e energjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.