Në Qeverinë e Kosovës thonë se janë të gatshëm për hartimin e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por jo të ndarë nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Sipas tyre, tema e Asociacionit kërkon një konsensus nacional, megjithatë nga opozita dhe njohësit, thonë se kjo është e vonshme, joserioze dhe po bëhet vetëm për të blerë kohë në dialog.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, thotë për KosovaPress, se nëse krijohen rrethanat që të krijohet një komision profesional për hartimin e një drafti për statutin e Asociacionit, ai do të bëhet në përputhje me Kushtetutën.
“Kjo kërkon një konsensus nacional. Së pari statuti nuk është barrë vetëm e Qeverisë së Kosovës. Kur e them këtë nënkuptoj se janë edhe institucionet zinxhirë, është Kuvendi, Gjykata Kushtetuese dhe sigurisht meqenëse dialogu udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit, ne si ministri nuk kemi ingirenca (për ta hartuar një draft-statut të Asociacionit). Sigurisht se kur të vjen momenti, nëse vjen ndonjëherë, nuk e di a do vjen që të ketë një komision profesional që të ulet dhe të shkruaj draft-statutin në mënyrën më të mirë të mundshme. Sigurisht se duhet të ketë ekspertizë ndërkombëtare, jo vetëm ekspertizë vendore”, thekson Qorrolli.
Mirëpo, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj thotë se këto janë përpjekje të vonshme të qeverisë dhe po bëhen vetëm për të blerë kohë në dialog.
“Është lut Qeveria e Kosovës në tri vitet e fundit. Për tri vjet e kanë lutur merre dhe formoni një komision, hartoni një draft për Asociacionit dhe i ka ikur Kurti. Kam mbetur i habitur sesi në Kosovë në vitet 20223-2024, përfundojmë me një situatë që një grup autorësh që as unë dhe as ju nuk e dini se kush e kanë hartuar, të cilit i ka thënë po kryeministri në Bruksel. S’ka pas proces të negocimit sesi do të duket draft-statuti i Asociacionit. Prandaj përpjekja tani se gjoja mund të draftojnë një statut të ri është përpjekje për të blerë kohë”, thotë ai.
Në anën tjetër, profesori i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani thotë për KosovaPress, se tendenca e qeverisë që të themelojë vet një draft-statut për Asociacionin është joserioze.
Sipas tij, procedura për themelimin e Asociacionit dihet dhe se qeveria s’mundet njëanshëm të hartojë të njëjtit, por duhet të shkojë përmes ndërmjetësve në dialog dhe me pajtimin e palës serbe.
“Jo vetëm që është shumë vonë por edhe është joserioze. Nuk merret kjo punë kështu. Shikoni ajo është një detyrim dhe dihet saktë se detyrimet e marrëveshjeve të vitit 2013-2015 ka qenë themelimi i Asociacionit, por nuk është ditur përmbajtja. Përmbajtjen ia ka dhënë zotëri Kurti dhe e ka kthyer në një bashkësi të komunave serbe. Ai ia ka shtuar elementin kishtar, kulturën shpirtërore dhe historike të serbëve. Është ditur procedura. Qeveria formon një komision, ai e drafton statutin dhe krejt këto shkojnë përmes ndërmjetësuesve me pajtim me palën serbe. Kështu njëanshëm siç paraqitet do të thotë se është edhe kundër letrës që këta e kanë çuar para se të pranohen në Këshill të Evropës”, deklaron Hasani.
Muajin e kaluar, ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq tha për KosovaPress, se është i gatshëm të përfshihet për hartimin e një draft-statutit për Asociacionin.
Gatishmërinë për hartimin e një drafti për Asociacionin dhe dërgimin e tij për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese e ka dhënë si mundësi edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dëshmi e garancisë për ecjen tutje në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës./Klankosova.tv/