LAJME

Qeveria çon përpara marrëveshjet me Austrinë e Turqinë për sigurime sociale

Qeveria çon përpara marrëveshjet me Austrinë e Turqinë për sigurime sociale
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Tetor 2026, 10:20

Qeveria e Republikës së Kosovës ka çuar përpara marrëveshjen me Austrinë dhe Turqinë për sigurime sociale. Në mbledhjen e së mërkurës, kabineti miratoi vendimit për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit Ministrit për Punë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale, ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Të njëjtën marrëveshje, por me Turqinë, po ashtu e miratoi unanimisht.

“Marrëveshja synon të mbrojë të drejtat e qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në të dyja vendet, në mënyrë që lëvizja nga njëri shtet në tjetrin të mos ua cenojë sigurinë sociale. Përmes koordinimit të skemave dhe bashkimit të periudhave të sigurimit, synojmë që vitet e punës dhe kontributet e paguara të merren parasysh në realizimin e të drejtave pensionale dhe sociale. Qytetarët që kanë kontribuuar në dy shtetet meritojnë që puna e tyre të njihet dhe të drejtat e fituara t’u ruhen pavarësisht se ku e ndërtojnë jetën”, ka thënë kryeministri Albin Kurti për marrëveshjen me Turqinë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe pika të tjera, si Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (MPB), Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë (MPBZHR), Draftin e Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për vitet 2026–2028 (ZKM), propozim-vendimin për mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar (ZKM). Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për tjetërsim/shitje të nëntë automjeteve zyrtare, të cilat janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit (MKK).

Po ashtu, miratoi kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve për Ndërmarrjen Shoqërore “Komogllava” (MF), si dhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25.02.2022, për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare me qëllim të linjëzimit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të Bashkimit Evropian (MPJD)./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika