LAJME

Qëndrimi i LDK-së për ligjin e Speciales, Xhafer Gashi jep dorëheqje nga kjo parti

Qëndrimi i LDK-së për ligjin e Speciales, Xhafer Gashi jep dorëheqje nga kjo parti
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Tetor 2026, 19:58

Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij në LDK në Komunën e Obiliqit.

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Obiliq, Xhafer Gashi, më 05.10.2026 ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij partiake.

Sipas Gashit, mbrojtja e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe kërkesa për drejtësi janë përgjegjësi që tejkalojnë kufijtë partiakë.

“Në një çështje kaq të rëndësishme për Kosovën, përfaqësuesit tanë duhet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe ta ndiejnë peshën e shqetësimit të tyre.”– u shpreh ai.

Sipas tij, ky proces kërkon paanshmëri dhe prova, e jo dyshime të bazuara se është një proces politik.

Ai tha se sot është momenti që ta vendosin atdheun para vetes dhe interesave të ngushta partiake.

“Nuk mund t’i mbaj pozitat e mia në parti kur qëndrimi i saj për këtë çështje bie ndesh me ndërgjegjen time dhe me përgjegjësinë që ndiej ndaj njerëzve që përfaqësoj. Heshtja ime do të rëndonte më shumë se largimi.”– shkroi Gashi më 05.10.2026.

Gashi po ashtu theksoi se ky qëndrim i tij nuk do ta përjashtojë e as zbehë bindjen dhe besimin se drejtësia duhet të mbizotërojë.

Ndër të tjera ai tha se do të vazhdojë t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve, bashkëluftëtarëve dhe familjeve që u sakrifikuan për liri.

“Pozitat mund t’i lëmë. Përgjegjësinë ndaj atdheut e mbajmë gjithë jetën.”– theksoi Gashi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika