Paneli Zgjedhor i Ankesave e Parashtresave (PZAP) ka aprovuar kërkesën e Albena Reshitajt të AAK-së për të rinumëruar votat e saj në qendrën e votimit 2404A/01R, në Suharekë. Ndërsa gjashtë komisionerë nga kjo qendër janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor.
Kryesuesi i vendvotimit Ermal Zenelaj, dhe anëtarët Jehona Zenelaj, Jeton Kokollari, Ernard Gashi, Floriana Zenelaj e Glodiana Zenelaj janë pezulluar për pesë vjet nga procesi zgjedhor si kandidat, apo si pjesë administrative e një organi zgjedhor të menaxhuar nën autoritetin e KQZ-së.
Reshitaj ishte ankuar se në këtë vendvotim kishte 31 vota, sipas deklaratës së vëzhgueses Adelina Krasniqi, por se në faqen e KQZ-së figurojnë 0 vota. PZAP ka zhvilluar hetimet dhe nga hetimi në QNR ka konstatuar se Reshitaj kishte 30 vota dhe një ishte e pavlefshme. Kështu që është urdhëruar të rinumërohen votat e saj në këtë vendvotim, e janë pezulluar gjashtë komisionarët në këtë vendvotim, që janë nënshkruar në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve (FRK).





