Është vështirë të pranohet që Rusia po beson se presidenti hebre i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është nazist. Për një narrativë më shpjeguese, që shfaq formë logjike të të menduarit të Kremlinit, është më e dobishme të shqyrtohet një tjetër analogji historike shumë e përdorur për luftën e Rusisë në Ukrainë: Kosova dhe bombardimet e NATO-s më 1999 në ish-Jugosllavi, ka shkruar në një opinion për “Foreign Policy”, Jade McGlynn, njohëse e historisë dhe politikave ruse si dhe drejtoreshë e Iniciativës Monterey.
Në shkrimin e saj, McGlynn ka thënë se, sipas mendjes së Putinit, “mbrojtja e popullatës lokale nga gjenocidi në Ukrainë”, është pasqyrim i justifikimit që NATO-ja pati përdorur për ta bombarduar Jugosllavinë dy dekada më herët.
“S’ka asnjë koincidencë. Në fjalimin e Putinit më 21 shkurt, në të cilin ai njoftoi për njohjen e Republikave të Luhanskut dhe Donetskut, Putini iu referua bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi dhe përkrahjen për Kosovën si referencë e justifikim. Në pikëpamjen e tij, duket se, NATO-ja kishte fabrikuar një gjenocid të rremë për të legjitimuar ndërhyrjen: tani dëshiron ta bëjë të njëjtën. Kjo s’kishte të bënte vetëm me sigurimin e precedentit, por edhe dërgimin e mesazhit: Nëse Perëndimi mund t’i ricaktojë kufijtë për Kosovën, edhe ne mund t’i rivizatojmë kufijtë për Donetskun dhe Luhanskun në Ukrainën Lindore”, thuhet ndër tjerash në analizën e McGlynnit.
Pos Putinit, edhe krerë tjerë rusë kishin përmendur në vazhdimësi bombardimet e NATO-s si justifikim për lëvizjet e Rusisë në Ukrainë.
Sipas McGlynnit, krahasimi i Ukrainës me Kosovën ilustron qëllimin e Rusisë për të prishur arkitekturën e sigurisë së Luftës së Ftohtë, ashtu që Perëndimi të mos ketë më fuqinë për ndryshime kufijsh e regjimesh.
Në këtë analizë theksohet se në vetëm një shtet të Evropës Putini shihet si yll. Bëhet fjalë për Serbinë.
“Pikëpamja e Putinit për luftën 78-ditëshe të NATO-s kundër Serbisë është goxha i ndryshëm prej atyre të shteteve perëndimore, që e shohin si intervenim humanitar që parandaloi, ose si përgjigje ndaj një gjenocidi”, ka shtuar në analizën e saj McGlynn.
Nëse përcillet uebfaqja më e famshme e historisë në Rusi, që financohet nga Kremlini, kriza e Kosovës thuhet se s’është shkaktuar nga Sllobodan Millosheviqi. Aty akuzohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përkrahjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. “Rusia në vazhdimësi e sheh Ballkanin në rënie në sferën e saj të ndikimit dhe raportet e saj vëllazërore me Serbinë kanë qenë historikisht kruciale për ta ushtruar pushtetin në rajon”.
McGlynn ka renditur historikisht deklaratat e krerëve rusë se si e kanë përdorur rastin e Kosovës në çdo mundësi të dhënë për të dalë kundër Perëndimit.
Më 21 shkurt në Këshillin e Sigurimit, ministri i Jashtëm Rus, Sergey Lavrov, citoi përkrahjen e NATO-s për Kosovën si arsyetim për të hedhur poshtë kritikat e Perëndimit për Rusinë e tashme.
“Duke e parë këtë nëpërmjet thjerrëzave të mbushura me ankesa të superfuqisë së rënë, por të ringjallur, sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës sot duhet të shihen me rezultat përfundimtar si – rilojë e Kosovës, por me Rusinë si triumfuese, aq të fuqishme sa t’i shkelë normat, e jo Perëndimi”, ka vazhduar ajo.
Sipas syve të pushtetit në Rusi, gjithçka po duket vetëm si reflektim i taktikave të Perëndimit në rastin e Kosovës.
“Bota po i sheh forcat tokësore ruse teksa ecin në Donbass me supozimin për të shmangur rrezikun e gjenocidit dhe përdorimin e të ashtuquajturve paqeruajtës. Kremlini qartë po dëshiron të largojë Qeverinë e Zelenskyt në Kiev, sipas pikëpamjes së vet, sikur Perëndimi që hodhi Millosheviqin. Në ndjekjen e këtij qëllimi, Rusia tashmë ka tejkaluar veprimet e NATO-s në Jugosllavi”.
Duke u thirrur me rastin e Kosovës në Ukrainë, Rusia po demonstron se e ka kthyer statusin e superfuqisë dhe po synon të zhbëjë arkitekturën e sigurisë së pas Luftës së Ftohtë, e të ndryshojë rendin botëror.