Gjermanisë po i mbarojnë forcat e kualifikuara punëtore, por vetëm 16 për qind e ndërmarrjeve gjen punëtorë të huaj të kualifikuar. Një studim i fondacionit Bertelsmann kërkon për arsyet.
Gati 34 milionë vetë në Gjermani kanë një punë të rregullt. Ky është një rekord i ri. Por në të njëjtën kohë po rritet numri i vendeve të punës të pazëna. Me daljen në pension të brezit të lindur në vitet me numër të konsiderueshëm lindjesh dhe zhvillimin demografik, po reduktohet numri i fuqisë punëtore potenciale në moshë pune.
Gjithnjë e më shumë ndërmarrje ankohen për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Për ekonominë gjermane kjo po kthehet në një nga rreziqet më të mëdha. Se sa po ashpërsohet gjendja, kuptohet nga një sondazh aktual i Institutit Civey, i kryer me porosi të Fondacionit gjerman Bertelsmann.
Nga 7,500 ndërmarrje të anketuara aty, 66 për qind dhanë përgjigjen, se nuk gjejnë dot sa duhet fuqi punëtore të kualifikuar. Në vitin e kaluar kjo shifër ishte 55 për qind.
Nga viti në vit më e vështirë?
Gjendja ndryshon sipas degës, rajonit, profesionit dhe kualifikimit. Nëse pyeten ndërmarrjet që vuajnë nga mungesa e fuqisë së kualifikuar, se çfarë mungon më shumë, atëherë merr përgjigjen nga çdo e dyta firmë, se mungojnë personat me shkollim profesional të përfunduar. Te akademikët është çdo e katërta ndërmarrje. Ndërsa po të shikosh sektorët ekonomikë, vëren se sektori i shëndetësisë dhe ai kujdesit për të moshuarit vuan më së shumti nga mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore.
“Fakt është që po na mbarojnë forcat e kualifikuara. Nga fuqia punëtore tek kujdesi për të moshuarit tek teknikët e klimës apo logjistika dhe akademikët. Gjithkund do të mungojnë forca punëtore”, paralajmëroi në gusht kreu i Agjencisë Federale të Punës, Detlef Scheele.
Sipas Scheele duhen 400 mijë të huaj të kualifikuar në vit për të mbushur boshllëqet e tregut të punës. Në praktikë ardhja e fuqisë së kualifikuar punëtore nuk luan ndonjë rol të madh.
Vetëm 16 për qind e ndërmarrjeve sipas studimit të Berstelsmann thanë se po marrin forca punëtore nga jashtë. Shumica përpiqen të tërheqin fuqinë punëtore të brendshme me oferta joshëse. Rroga më të larta, shkollim të mëtejshëm, apo oferta kujdesi për familjen.
Gjuha, pengesa kryesore
Nga marsi 2020 është në fuqi në Gjermani një ligj që lehtëson fuqinë e kualifikuar punëtore nga shtetet jo-anëtare të BE të vijë në Gjermani. Megjithatë shumë ndërmarrje i tremben tërheqjes së fuqisë punëtore nga jashtë. Arsyet janë të ndryshme. Por më kryesorja është shqetësimi për vështirësitë e komunikimit gjuhësor dhe vështirësia në vlerësimin e kualifikimit të aplikuesit. Pak a shumë të njëjta, por me dallim në sektorë janë edhe përgjigjet e ndërmarrjeve që kanë rekrutuar ndërkohë fuqi punëtore nga jashtë. Këtu del, se disa rezerva nuk janë edhe aq të pajustifikuara. Për shembull tek gjuha. Kurse pengesat burokratike nga ana tjetër dolën në anketim si më të ulta se sa dukej në fillim.