Shkruan: Xhevat Elezkurtaj- drejtor i QKMF, Prizren
Spitalet private me renome në Kosovë për dallim nga spitalet private në regjion dhe Europë kapacitetet e veta shëndetësore nuk i vendosën në shërbim të pacientëve të sëmurë me Covid- 19. Duke marrë parasysh kualitetin shëndetësor që kanë sidomos në pjesën intensive të tyre është për të analizuar mospërfshirjen e tyre në ketë luftë që po bejnë institucionet publike duke filluar nga QKMF-të, spitalet dhe klinikat.
Shkaqet mund të jenë të shumta por ne po përmendim disa:
-koston e shtrenjtë që kanë keto spitale
-mungesa e sigurimeve shëndetësore
-gjendja e rëndë ekonomike e pacientëve
-mos bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë sidomos në mos rimbursimin e shpenzimeve të pacientëve të trajtuar nga ana e këtyre spitaleve
-mos rrezikimi i stafit të tyre nga të semurët me covid-19
-mungesa e formimit të infrastrukturës shtesë nga ana e tyre.
Eshtë e domosdoshme të vendoset një bosht bashkëpunimi në mes institucioneve publike , private dhe menaxhmentit shtetëror në fushën shëndetësore në mënyrë që mjekët tanë ta kenë më të lehtë të perballen me këtë sëmundje e cila është gjithmonë një hap para nesh. Eshtë koha që klinicistët tonë të vrapojnë pas të sëmurëve e jo pas statistikave fatale që sjellë ajo. Ministria e Shëndetësisë duhet t’i angazhojë spitalet private dhe ushtarake në mënyrë qe ata të jenë bashkëpjesëmarrës në mjekimin e të sëmurve me Covid-19 ngase tek e fundit gjeografikisht janë duke ushtruar aktivitete shëndetësore në Republikën e Kosovës. Në Kosovë ka me qindra spitale private ndërsa shumë më pak spitale publike të cilat janë të stërmbushura me pacientë të cilët nëse shkohet me ketë trend do t’i kthejnë mbrapshtë pacientët ngase s’ do ketë shtretër të lirë. Nëse secila klinikë private i pranon nga 20 pacientë ne nivel vendi ata do t’i kishin trajtuar më së paku 3000 të sëmurë me Covid-19 dhe Kosova do ta kishte menaxhuar më lehtë dhe më mirë ketë Pandemi.