LAJME

Protestat përhapen nëpër Europë: Kostoja e lartë e jetesës, shkaku kryesor i demonstratave

Protestat përhapen nëpër Europë: Kostoja e lartë e jetesës, shkaku kryesor i demonstratave
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Tetor 2026, 12:21

Nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe banimi i papërballueshëm, e deri te fuqia blerëse në ngecje dhe shërbimet publike të mbingarkuara, protestat në mbarë Europën po nxjerrin në pah pakënaqësinë në rritje lidhur me standardin e jetesës, shkruan Euronews në një analizë të publikuar t֝ë hënën (19.10.2026).

Mijëra njerëz gjatë fundjavës dolën në rrugë nëpër Europë që të protestonin kundër rritjes së kostos së jetesës, banimit të papërballueshëm, pagave të ulëta dhe presionit mbi shërbimet publike. Ndonëse ankesat ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, demonstratat pasqyrojnë një pakënaqësi në rritje lidhur me buxhetet familjare.

Dhunë e plaçkitje në Francë

Në Francë, qindra mijëra njerëz iu bashkuan demonstratave, ku morën pjesë studentë dhe grupe të tjera, për të protestuar kundër kostos së jetesës dhe gjendjes së shërbimeve publike. Shumë prej tyre marshuan paqësisht, por presidenti francez, Emmanuel Macron, u zotua se do t’i mbajë përgjegjës ata që “u përpoqën të rrëzonin Republikën”, pasi disa tubime degjeneruan në plaçkitje dhe trazira në qytetet kryesore, duke lënë të dëmtuara rreth 1.500 dyqane dhe biznese.

Dëmi për këto biznese do të arrijë në “disa qindra milionë euro”, deklaroi për televizionin LCI Alexandre Bompard, president i Federatës së Tregtisë dhe Shitjes me Pakicë, duke shtuar se është ende herët për paraqitjen e shifrave të sakta.

Ndërtesa e komunës së qytetit Limoges u përfshi nga flakët, sikur se edhe zyra ikonike e turizmit në sheshin “Place Bellecour” në Lion. Vandalët hynë me forcë edhe në ndërtesat e komunave të Marsejës, Lilit dhe Angersit, ndërsa në Bordo, rezidenca e kryetarit u plaçkit dhe u shkatërrua.

“Protestimi është një e drejtë dhe zemërimi meriton të dëgjohet. Megjithatë, asnjë mosmarrëveshje apo ankesë nuk mund ta justifikojë kurrë shkatërrimin e pronës publike,” tha Guillaume Guérin, kryetari i bashkisë së Limoges, duke e cilësuar dhunën si “të papranueshme”.

Përplasje në Belgjikë

Në Belgjikë, policia u përplas me protestuesit në Bruksel dhe Liezh gjatë protestave kundër kostos së jetesës. Në javët e fundit, edhe nxënësit e shkollave të mesme kanë protestuar kundër rritjes së kostove të arsimit, duke iu bashkuar studentëve në Francë që protestojnë për kushtet në shkolla dhe mungesën e mësuesve.

Duke ndarë të njëjtin qëndrim me kryetarin e Limoges dhe politikanë të tjerë, ministri belg i Brendshëm, Bernard Quintin, ka deklaruar të shtunën se situata “nuk është më thjesht një protestë”, por “dhunë e pastër”.

Në Portugali në protestë edhe sindikatat

Në Portugali, sindikatat dhe grupet që mbrojnë të drejtat për strehim kërkuan paga më të larta, pensione më të mira, përmirësim të shërbimeve publike dhe masa konkrete për ta bërë strehimin më të përballueshëm. Organizatorët theksuan rritjen e qirave, kostot e kredive hipotekare dhe shpenzimet e përditshme si presione në rritje mbi buxhetet familjare.

Përleshje në Itali

Edhe në Itali pati demonstrata për shkak të kushteve ekonomike dhe rritjes së çmimeve. Përleshjet në Milano, Torino dhe Bolonjë lanë njerëz të plagosur, ndërsa dhjetëra të tjerë u ndaluan në Milano.

Pse janë të zemëruar europianët?

Rritja e kostove të ushqimit, strehimit dhe energjisë ka bërë që shumë familje të kenë vështirësi për t’i bërë të ardhurat e tyre të mjaftojnë. Edhe kur inflacioni ngadalësohet, çmimet në përgjithësi mbeten më të larta se më parë, duke u lënë konsumatorëve më pak hapësirë ​​në buxhetet e tyre.

Strehimi përbën një shqetësim të veçantë për qiramarrësit dhe të rinjtë në shumë qytete. Punonjësit me paga të ulëta përballen me presionin e shpenzimeve thelbësore, ndërsa shqetësimet lidhur me arsimin dhe shërbimet e tjera publike kanë shtuar pakënaqësinë në disa vende.

Të dhënat e Eurostat-it, të analizuara nga Euronews Business, tregojnë se çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në BE u rritën me 34% midis gushtit 2021 dhe gushtit 2026. Sasia e ushqimit që mund të blihej me një pagë minimale mujore bruto ra me 6% në Maltë, 5% në Spanjë dhe 4% në Francë, ndërsa u rrit në shumicën e vendeve të analizuara. Megjithatë, ky krahasim nuk përfshin taksat, qiranë dhe shpenzimet e tjera familjare, ndaj nuk pasqyron plotësisht vështirësitë e krijuara nga rritja e kostos së jetesës.

Protestat nuk përbëjnë një lëvizje të vetme në shkallë europiane dhe kërkesat e tyre ndryshojnë. Megjithatë, ato nxjerrin në pah presionin mbi financat familjare dhe sfidën në rritje për të siguruar që pagat të ndjekin ritmin e rritjes së kostove për nevojat thelbësore./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika