Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit A.K., nën dyshimin për plagosjen e dy personave në Shtërpcë një ditë më parë. Sipas njoftimit, ai dyshohet për “vrasje në tentativë”. Prokuroria ka thënë se të shtënat kanë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty.
A.K., që u konfirmua se është pjesëtar i FSK-së, plagosi të shtunën dy qytetarë serbë. Menjëherë pati protestë të serbëve në Gotovushë të Shtërpcës. Ata bllokuan rrugën magjistrale për disa orë.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 06 Janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës ‘Mossberg’ dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë në tentative’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.





