Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori Petrit Kryeziu dhe Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë Viktimave në Prizren, ka organizuar sot tryezën rajonale në kuadër të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, me temën “Të bashkuar për të drejtat e viktimave”.
Kjo tryezë, e udhëhequr nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu, mblodhi përfaqësues nga prokuroria, gjykata, policia, OSBE, DKA, mbrojtës të viktimave, Qendra për Punë Sociale, Shërbimi Sprovues, strehimorja dhe institucione të tjera relevante.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e mekanizmave institucionalë të mbrojtjes së viktimave, me theks të veçantë tek rastet e dhunës në familje, të cilat vazhdojnë të jenë ndër sfidat më të shpeshta dhe më të ndjeshme për sistemin e drejtësisë.
Në fjalën e tij, Kryeprokurori Kryeziu theksoi se: “Mbrojtja e viktimave të krimit, veçanërisht e atyre që përballen me dhunë në familje, është një ndër prioritetet themelore të Prokurorisë Themelore në Prizren. Ne jemi të përkushtuar që çdo rast të trajtohet me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe vendosmëri, duke siguruar që viktima të ndjehet e sigurt dhe e mbrojtur gjatë gjithë procesit. Ky është obligim ligjor, por mbi të gjitha obligim njerëzor.”
Ndërkaq, udhëheqësja e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Prizren, znj. Semsije Sagdati, theksoi se: “Viktimat e dhunës në familje shpesh përballen me frikë, pasiguri dhe barriera të shumta. Për këtë arsye, mbështetja ndërinstitucionale është thelbësore.”
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra, Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, Faton Alija, si dhe përfaqësues tjerë institucionalë në fjalën e tyre theksuan se trajtimi i rasteve të dhunës në familje kërkon qasje të koordinuar, reagim të shpejtë, mbrojtje të menjëhershme të viktimës dhe mbështetje të vazhdueshme psikologjike dhe juridike.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe trajtimi i rasteve ku kryes tw veprave penale paraqiten personat me çrregullime mendore. U theksua nevoja për vlerësime profesionale, masa të specializuara dhe qasje të koordinuar ndërinstitucionale, me qëllim që të sigurohet trajtim adekuat, parandalim i rrezikut dhe mbrojtje më e mirë për viktimat.
Një pikë e rëndësishme e tryezës ishte edhe rëndësia e implementimit të hallkave elektronike të sigurisë, të cilat shërbejnë si mekanizëm preventiv dhe mbrojtës për viktimat e dhunës në familje. U theksua nevoja për zbatim të plotë, funksional dhe të koordinuar të këtyre mekanizmave për të garantuar siguri efektive dhe reagim të menjëhershëm institucional.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit kanë zhvendosur vizitën në Policinë Rajonale të Prizrenit, për të parë nga afër mënyrën se si funksionojnë hallkat elektronike të sigurisë, si dhe për të vlerësuar proceset operative që lidhen me mbrojtjen e viktimave.
Ky aktivitet synon rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, unifikimin e praktikave profesionale dhe forcimin e mbrojtjes së viktimave, me qëllim që sistemi i drejtësisë të jetë sa më efektiv dhe sa më i ndjeshëm ndaj nevojave të tyre.
