Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër Z.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili gjendet nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, më 30 tetor 2025, në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, i pandehuri ka transportuar pa autorizim substanca të shpallura me ligj si narkotikë. Ai thuhet se kishte marrë me qira një automjet në Tiranë dhe ishte nisur në drejtim të Kosovës.
“Gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, i pandehuri është ndaluar për kontroll nga autoritetet kompetente në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Gjatë kontrollit të automjetit, nën ulësen e shoferit është gjetur një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme prej 575.71 gramë, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të pandehurit është gjetur edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë 0.35 gramë”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.