LAJME

Prokuroria në Pejë kërkon paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Prokuroria në Pejë kërkon paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Tetor 2026, 10:31

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Jeton Sylajt., ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, që u vra të dielën. Për vrasjen është i dyshuar kunati i Zekajt, ndërsa bashkëshorti i saj është ndaluar për veprën penale të “mospërfilljes së gjykatës”.

I pandehuri u ndalua pak orë para vrasjes së Zekajt.

Në njoftim të Prokurorisë thuhet se ai nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës së Pejës për qëndrim në distancë. Në kërkesë, Prokuroria ka bërë të ditur se Sylaj e ka kërcënuar viktimën e se ia ka hedhur rrobat nga rrobalarësja në oborr të shtëpisë.

“Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë, Komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026. Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë. Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Seanca do të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Pejë.

Rasti i kërcënimit ka ndodhur pak orë para se Zekaj të vritet me sëpatë në shtëpinë e saj. I dyshuar është kunati i saj, që është në arrati.

Prokuroria Themelore në Pejë ndaj Jeton Sylajt pati ngritur aktakuzë dy ditë para vrasjes së Zekajt. Aty akuzohet për veprën penale të kanosjes.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika