Reagime të shumta ka nxitur vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova në QKUK. Në familje dyshojnë se vajza iu vdiq pasi u rrah, si dhe për mostrajtim të duhur në institucione shëndetësore. Në QKUK thanë se 4-vjeçarja u pranua në gjendje të rëndë shëndetësore e ishte e diagnostikuar me sepsë. E prokurori i Gjakovës ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për këtë rast.
Vajza që iu vdiq të hënën e 19 shkurtit në QKUK, ishte dërguar për trajtim fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjakovës, pasi, sipas prindërve, u rrah deri në alivanosje nga disa fëmijë.
Por të shkatërruar emocionalisht prindërit rrëfejnë për trajtimin neglizhues që ia bënë asaj mjekët në Gjakovë.
“E mora çiken e qova apet në spital. Aty në spital më endshin sa poshtë sa lart….. Jam zbrit poshtë, ju thash aman se aman kapmani çiken në dorë mos me eni mua. Ma kanë marrë çiken. Janë ardh policia e Gjakovës. Derisa janë ardhë Policia, çiken në dorë nuk ma kanë kap”, tha e ëma.
Ajo thotë se gjatë dërgimit të së bijës në QKUK, stafi mjekësor nuk e mori me vete, pavarësisht lutjeve.
“Ata u nisën për në Prishtinë as nuk më thirren as hiç. Shkova te kombi, merrnim me vete. Jo më thoshin. Ky ju tha aman se aman merrmani veç gruan me veti, ata jo thoshin. E mshelen kombin e i grahën. Ky e ndjeki kombin, qatë kerrin deri te dera, qatë ndihmën e shpejtë edhe ra në dy gjujt ma”.
As kur iu vdiq vajza, prindërit thonë se nuk u njoftuan zyrtarisht.
Thonë se informatën e morën nga rrjetet sociale, të cilat u informuan nga QKUK-ja para familjes.
Ndonëse prindërit dyshonin se shkak i vdekjes u bë rrahja, në QKUK thonë se vajza kishte “sepsë”, infeksion akut i shkallës më të lartë, dhe se u pranua në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Në Qendrën Emergjente të QKUK-së kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diagnostike – radiologjike, thirren në konsultë edhe mjekët e lfushave përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës ‘sepsë’ ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë më datë 19 shkurt 2024”.
Në Spitalin e Gjakovës përmes një komunikate thanë se kanë ofruar mbikëqyrje profesionale mjekësore.
“Më datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga Urgjenca e Mjekësisë Familjare për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me pediatrin, ortopedin dhe kirurgun fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në Repartin e Kirurgjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore kanë vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK”.
Prokuroria Themelore e Gjakovës njofton se ka iniciuar rast për hetimin e vdekjes së saj dhe në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me rastin.
“Ju njoftojmë se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore i thanë KOHËS se ende nuk është gati raporti i obduksionit dhe ai do të dorëzohet në Prokurori.
Thirrje për hetim të çdo detaji ka bërë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili edhe e vizitoi gjatë ditës familjen e vajzës. Ai kërkoi masa për përgjegjësit e mundshëm në sistemin shëndetësor.
“Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë. I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj”.
Dyshimet rreth rrethanave në të cilat vdiq e mitura dhe trajtimi mjekësor i ofruar, nxiten shumë reagime edhe nga shoqëria civile.
Veprime e hetim të menjëhershme për këtë rast ka kërkuar koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve e Avokati i Popullit.