Kur shpaloset programi i edicionit të tretë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest”, ngjan sikur ngrihet një skenë madhore teatrore me shfaqje gjithandej nga institucione të njohura botërore. Janë 22 shfaqje për tetë ditë, nuk përbëjnë thjesht numër. Në listë mysafirësh është edhe aktorja e nominuar për çmim “Oscar”, do të ngjitet në skenë njësoj siç do të inskenohet edhe një shfaqje që ka thyer kufijtë e botës. Drejtori artistik, Adrian Morina, parasheh edhe një kryelajm: themelimin e fondit të përbashkët teatror midis Kosovës e Shqipërisë
Festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, “Prizren Fest” nuk i janë dashur më shumë se dy edicione që të shndërrohet në ngjarje madhore dhe me peshë. E, dëshmia e parë për këtë është programi e të tretit edicion që do të mbahet në kryeqytetin historik prej 21 deri më 28 korrik. Janë hiç më pak se 22 shfaqje për tetë ditë, nuk përbëjnë thjesht numër, por përfaqësohen prej institucioneve të njohura teatrore nga rajoni dhe bota. Dhe kjo është vetëm një pjesë.
Në listë janë emra të shquar, do të organizohen edhe debate e konferenca e aty do të bëhet edhe konkretizimi i një nisme madhore: do të themelohet fondi i përbashkët teatror midis Kosovës dhe Shqipërisë.
“Jemi në përfundim të punëve finale”, ka thënë të enjten Adrian Morina, drejtor artistik i “Prizren Festit”, i ftuar në emisionin “Express” në KTV ku ka zbërthyer në detaje programin, hartimi i të cilit ka përfunduar tash e sa kohë.
“Tani po bëjmë gati skenat ku do të inskenohen shfaqjet, skena qendrore në ‘Kino Lumbardhi’ e që sivjet do të jetë më e madhe në hapësirë, sepse shfaqjet që i kemi përfshirë në program në këtë edicion të tretë, jemi munduar të jenë më të mëdha dhe cilësore, prandaj edhe kërkesat e tyre janë shumë më të mëdha se në vitet paraprake”, ka thënë ai. Aktualisht po ndërtohen skenat te “Sheshi i Lidhjes së Prizrenit” ku do të jetë skena e shfaqjeve për fëmijë, pastaj te Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare e të tjera lokacione.
Dy edicionet e para të “Prizren Festit” ishin hapur nga Teatri Kombëtar i Sarajevës dhe Teatri i Dnipros nga Ukraina. Sivjet organizatorët kanë marrë tjetër vendim.
“Kemi planifikuar ta gjejmë një shfaqje në gjuhën shqipe që ta shënojë hapjen e festivalit. E kemi zgjedhur shfaqjen ‘Vizita’ nga teatri ‘Migjeni’ i Shkodrës në bashkëprodhim me Teatrin e Sardinias. Është një shfaqje e shkëlqyer e punuar me shumë mjeshtëri nga një regjisor italian dhe një trupë aktorësh që besoj se kur publiku t’i shohë ata do ta kuptojë se pse e kemi zgjedhur ta hapim festivalin me këtë shfaqje”, ka thënë Morina.
Thjeshtëzuar në shifra, vetëm programi është një botim 58 faqesh, aty janë edhe emrat e një armate organizatorësh e vullnetarësh. “Prizren Festi” ka ecur shpejt prej se u themelua, përderisa emrat e teatrove pjesëmarrëse dëshmojnë besimin që ka krijuar. Gjeografia e shfaqjeve shtrihet edhe në Spanjë, Greqi, Francë e deri në Iran. Vendi nikoqir, Prizreni, prezantohet me “Audiencë” në “Destil Caffe”. Ka veçuar edhe mysafiren speciale “një aktore të jashtëzakonshme nga Franca, të gjeneratës së artë të Brigitte Bardot, e cila është një zonjë mbi 80-vjeçare”.
Bëhet fjalë për Marie-Christine Barrault, e njohur edhe për rolin në “Cousin Cousine” të vitit 1975 e nominuar hiç më pak sesa për çmimin “Oscar”. “Udhëtimi në Cyrih” e sjell këtë yll në Kosovë.
“Kënaqësia është edhe më e madhe kur e dimë që aktori ynë i mirënjohur, Arben Bajraktaraj, vjen që të luajë në këtë shfaqje dhe që jepet te Kisha Katolike në Prizren”, ka thënë Morina kur ka përmendur edhe emra të tjerë. Njëri prej tyre, regjisori italian Pippo Delbono, tha se Prizreni do të jetë qyteti i 61-të ku do të prezantohet shfaqja e tij “La Gioia” që ka shkelur në të pesë kontinentet e botës.
“Do të kemi dhe shfaqje nga Irani, me ç’rast vjen një prej aktoreve që është shpërblyer tri herë me çmimin kryesor që njihet si ‘Oscari’ i Iranit. Është shfaqja ‘The Child’ e cila ka një temë që prek edhe kulturën tonë, emigrimin. Kemi dhe shfaqjen ‘Medea’s Burqa’ të cilën kemi zgjedhur ta inskenojmë në një ambient të shkëlqyeshëm dhe jam falënderues duke dashur të flasim dhe për diversitetin kulturor dhe fetarë që e ka Prizreni. Shfaqja do të jepet te Teqja e Halvetive dhe është një projekt shumë i mirë me një artiste shqiptare që vjen nga teatri i Selanikut”, ka thënë ai. Në program është edhe shfaqja “Tramvaji i quajtur Dëshirë” e Teatrit të Luftës në Sarajevë që e rikthen aktorin e njohur Alban Ukaj para publikut në Kosovë. Ka befasi edhe në përmbyllje: një gjysmë-mjuzikëll “me tematikë goxha të fuqishme, një shfaqje e kompanisë teatrore ‘William Shakespeare’ nga Çekia”.
Por programi nuk përfundon me kaq. Ka edhe shfaqje për fëmijë. E, dashamirët e teatrit kanë arsye që t’i rezervojnë datat.
Anash programit është një tjetër ngjarje që aktori Morina parashikon që ky të jetë “kryelajm”.
“Programit ia kemi bashkëngjitur dhe dy konferenca, njëra që flet për ‘Artin për ndryshim’ dhe e dyta që besoj se do të jetë kryelajm, jo vetëm për festivalin tonë, por përgjithësisht edhe për jetën teatrore në Kosovë dhe Shqipëri. Është konferencë që organizohet nga dy prej institucioneve më të larta të teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri Kombëtar i Tiranës, e ku do të prezantohet fondi i përbashkët teatror i dy ministrive; Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri. Më duhet ta përsëris se ky është lajmi më i rëndësishëm për jetën teatrore në këta 20 vjetët e fundit”, ka thënë ai.
Ka kujtuar memorandume të bashkëpunimit, kalendarë të përbashkët kulturorë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Siç ka raportuar KOHA ndër vite, veçmas kalendarët përherë kanë mbetur në letër.
“Por lajmi që të themelohet një fond i përbashkët ku artistët do të kenë mundësi të aplikojnë me kushtin që të jenë artistë nga të dyja vendet dhe të bëjnë teatër të përbashkët, mendoj që kjo e shënon një kthesë të madhe në jetën e teatrit në Kosovë dhe Shqipëri dhe për shqiptarët kudo, sepse është diçka që është dashur të ndodhë para shumë vjetëve”, ka thënë Morina.
Për t’u bërë kryelajm, është caktuar e shtuna e 27 korrikut. Në program shkruhet se me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, në qershor të vitit 2023 është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim teatror në mes të Ministrave të Kulturës së dy shteteve.
“Marrëveshja krijon një platformë të mirë dhe të munguar për hapjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të teatrove dhe artistëve nga të dyja shtetet, duke përfshirë këtu bashkëprodhimet, shkëmbimet e produksioneve, ndërkombëtarizimin e teatrit shqiptar në përgjithësi, si dhe shkëmbimin e eksperiencave. Marrëveshja në fjalë ka filluar të zbatohet në segmente të caktuara dhe është në fazën përfundimtare edhe të realizimit të fondit të përbashkët teatror në mes të të dy vendeve”, shkruhet në program.
E, “Prizren Fest” organizon konferencë njëditore me përfaqësues të teatrove nga Kosova dhe Shqipëria “ku do të shtjellohen mundësitë që kjo marrëveshje dhe ky fond u jepin në të ardhmen, si dhe rëndësinë që kjo platformë e ka”.
Programi është goxha voluminoz dhe drejtori artistik ka një premtim.
“Nëse gjithçka shkon mirë këtë vit me këtë program kaq voluminoz, atëherë vitin e ardhshëm do ta relaksojmë pak atë”, ka thënë ai.