Tek ka mbetur edhe një javë deri në takimin e Komitetit të Ministrave, Kosova nuk përmendet në një agjendë të diskutimeve që e ka paralajmëruar Këshilli i Evropës. Në Këshill kanë deklaruar se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale, porse në këtë moment Kosova nuk është në agjendën e takimit. E njohës të zhvillimeve kanë thënë se mospërfshirja e Kosovës në agjendë dhe kushtëzimi i anëtarësimit të saj me Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të kenë ndikim negativ në procesin e dialogut
Paqartësitë për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi do të thellohen edhe më tej me kushtëzimin që i është bërë Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE), kanë thënë njohës të zhvillimeve politike.
Këshilli ka publikuar të enjten një agjendë preliminare të takimit të Komitetit të ministrave, i cili pritet që të mbahet më 16-17 maj dhe në të cilin anëtarësimi i Kosovës nuk figuron në rend dite. Situata mund të ndërrojë derisa agjenda ta marrë formën përfundimtare, porse dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese mbetet parakusht.
Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se fati i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë gjithsesi ndikim edhe në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
“Nëse situata mbetet kështu siç është dhe Kosova nuk do të jetë në rend të ditës apo do të jetë në rend dite dhe refuzohet anëtarësimi, atëherë Kosova do të kuptojë se dialogu po bëhet pengesë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare në vend se të ndihmojë. Kjo mund të ketë ndikim negativ edhe në sjelljen e Kosovës. Në anën tjetër, nëse Kosova nuk e nis procedurën e themelimit të Asociacionit dhe nuk e dërgon në Gjykatën Kushtetuese statutin apo draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tash, pse atëherë ta dërgojë më vonë”, ka thënë Palokaj.
Zgjedhjet të cilat pritet që sivjet të mbahen në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe ndryshimet në pozitën e emisarëve të tyre në rajon, sipas Palokajt, vetëm sa do t’i shtojnë paqartësitë rreth dialogut.
“Kështu që, në këto rrethana kur kemi paqartësi të tjera në procesin e dialogut, kur pritet të emërohet një pasardhës i Miroslav Lajçakut, kur ndryshimet po ndodhin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po hyjmë në një situatë ku është gjithçka e paqartë. Gjithsesi ky do të jetë një rast i humbur edhe për Kosovën, edhe për dialogun. Në anën tjetër, Serbia pritet të thotë se ka dalë fituese nga ky proces, pasi që Serbia ka arritur që nëpërmjet dialogut dhe sjelljes së saj duke mos respektuar pikat e marrëveshjeve nga dialogu po e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe BE-ja po hesht e nuk po konstaton se Serbia në këtë mënyrë është duke e shkelur marrëveshjen”, ka potencuar Palokaj.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të mërkurën se nuk pranon që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka paralajmëruar se përzierja e këtyre proceseve do të prodhojë pasoja edhe për dialogun.
Kushtëzimin e vendeve të QUINT-it që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit, të propozuar nga Bashkimi Evropian, në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, ai e ka quajtur absurd, pasi që ka thënë se ai nuk është as dokument zyrtar.
Një ditë pas Gjermanisë dhe Francës, edhe në Ambasadën italiane në Prishtinë kanë thënë të enjten se e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KiE, porse me kushtin që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet për interpretim në Kushtetuese.
“Sipas mendimit tonë, dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të BE-së për Asociacionin e ardhshëm të komunave me shumicë serbe, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, do të dërgonte një sinjal të fortë të synimit të Qeverisë për të përmbushur këtë zotim, dhe demonstrim të mëtejshëm në përkushtimin e Kosovës ndaj të drejtave të pakicave. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se vetëm hapat konkretë drejt ASK-së – siç u tha më lart – duhet të çojnë në përfshirjen e Kosovës në agjendën e ardhshme të Komitetit të Ministrave të KiE-së”, kanë thënë në Ambasadën e Italisë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim. Qëndrim të njëjtë kanë shprehur të enjten edhe në Ambasadën italiane në Beograd. Ambasadori Luka Gori ka thënë se nuk ka ardhur ende momenti për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe se duhet “progres esencial” në formimin e Asociacionit për t’u arritur një gjë e tillë.
“Ky është pozicioni që ka marrë Italia bashkë me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera të BE-së dhe kjo është çfarë duam të arrijmë në Strasburg”, ka thënë Gori për median serbe “Tanjug”. Ai ka shtuar se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma zyrtare beson që se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit mes Kosovës e Serbisë. Vetëm në Britaninë e Madhe ka thënë se e mbështesin Kosovën pa kushte.
Takimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës do të mbahet më 16 maj. Zyrtarë të kësaj organizate kanë thënë se për momentin Kosova nuk është në agjendë.
“Diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Në këtë moment, Kosova nuk është në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë, por do t’ju njoftojmë për zhvillimet”, kanë deklaruar nga zyra për informim e KiE-së.
Zgjerimi i masave sanksionuese ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës do ta dominojë agjendën e Komitetit të Ministrave në takimin e 17 majit, i cili do të mbahet në kuadër të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës. “Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon t’i marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në vitin 2023) dhe miratimin të një Konvente për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe sundimin e ligjit”, është bërë e ditur në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës.
Kosova i ka kaluar me sukses votimet në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, e cila përbëhet nga deputetë të partive të ndryshme evropiane. Me shumicë të votave, deputetët e Asamblesë e kanë miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, i cili rekomandon që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës. Në raportin e Bakoyannisit vlerësohet arritje e madhe zbatimi i vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit, ndërkaq themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.
Komiteti i Ministrave është i përbërë nga ministrat e jashtëm të qeverive të shteteve anëtare. Nga 46 shtetet që e përbëjnë Këshillin e Evropës, Kosovës për anëtarësimin do t’i duhet mbështetja prej dy të tretave të tyre.
Kosova e pati dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022.
Demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligji janë tri vlerat kryesore mbi të cilat qëndron Këshilli i Evropës. Shpresat e Kosovës për pranim u patën shtuar pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë.
Në kuadër të Këshillit vepron Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së cilës mund t’i drejtohen qytetarët pasi t’i kenë shteruar mjetet juridike në nivel kombëtar.