Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga janari i këtij viti deri në prill janë raportuar 691 raste të dhunës në familje.
Nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës për Klan Kosovën kanë thënë se ky institucion që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.
“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, të përfshirët në raste të tilla edhe kur janë viktimë kanë prirje që rasti të trajtohet më konfidencë pa u bërë medial e publik”.
“Andaj, policia për t’i inkurajuar viktimat e rasteve të dhunës në familje, raste e tilla i mban më larg nga mediat, për këtë arsye çdo rast i tillë kur e raportojmë nuk e posedon adresën e plotë, pra rasteve të tilla u largohet emërtimi i rrugës apo fshatit duke e lënë si lokacion vetëm qytetin, krejt kjo për të inkurajuar viktimat që ne do ta trajtojmë pos me profesionalizëm edhe duke mbajtur të panjohur për publikun identitetin e të përfshirëve në raste të tilla”.
“Qasja e tillë e policisë karshi rasteve të dhunës në familje vetëdijësimi për dhunën në njërën anë dhe trajtimi i rasteve më seriozitet ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, psh. në vitin 2017 janë raportuar 1269 raste, në vitin 2018 janë raportuar 1541 raste, në vitin 2019 janë raportuar 1915 raste dhe në vitin 2020 janë raportuar 2069 raste. Për vitin 2021 në nivel vendi ju përcjellim këto te dhëna të përgjithshme deri në muajin prill: Në muajin janar janë 169 raste , muajin shkurt 148 , mars 168 ndërsa në muajin prill 206 raste, kanë thënë nga ZIPK.