LAJME

Policia mban konferencë të jashtëzakonshme pas sulmit në Ibër-Lepenc

Policia mban konferencë të jashtëzakonshme pas sulmit në Ibër-Lepenc
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Nëntor 2024, 16:54

Policia e Kosovës është duke mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media në Qendrën Njësive Speciale “Enver Zymberi” në Mitrovicë. Në konferncë janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.

Kjo paraqitje i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike, gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Siç është bërë e ditur gjatë ditës, disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut, pas bastisjeve nga Policia e Kosovës lidhur me shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Përveç arrestimeve, është raportuar se policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme. Kështu ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.

“Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Kurti.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan./RTK/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika