Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mbajtur një takim me bizneset anëtare nga sektori prodhues, të cilat kanë shpalosur problemet dhe sfidat me të cilat po përballen, duke theksuar se gjendja aktuale po ndikon në kapacitetet e prodhimit, shitjet dhe qëndrueshmërinë e vendeve të punës.
Sipas njoftimit, ndër shqetësimet kryesore janë çmimet e larta të lëndës së parë dhe prodhimeve bujqësore, rritja e kostove të energjisë dhe kostove të tjera të prodhimit.
“Bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve deri në 20 për qind dhe rënie të fitimit, ndërsa kanë paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, shumë kompani mund të detyrohen të ulin numrin e të punësuarve dhe kapacitetet prodhuese. Prodhuesit kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e mbështetjes për prodhimin vendor, problemet në inkasimin e borxheve dhe kërkesën që pagesa e TVSH-së të lidhet me momentin e inkasimit të faturave. Po ashtu, është kërkuar trajtim më i favorshëm i produkteve vendore në treg dhe mbështetje më e madhe nga marketet dhe pikat e shitjes.” – thuhet në njoftim.





