Policia ka njoftuar se më datë 19.01.2026, rreth orës 02:12, në fshatin Poslishtë të Prizrenit, një grua ka kërkuar ndihmën e policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Sipas policisë, menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, patrullat policore janë përballur me një situatë të rëndë, ku bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar të sulmojnë përsëri viktimën.
“Gjatë konfrontimit, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. Për të parandaluar sulmin dhe për të mbrojtur jetën e viktimës, policët kanë ndërhyrë me forcë, duke arritur ta vendosin situatën nën kontroll. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor. Gjatë përleshjes, disa policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Hetimet rajonale janë njoftuar dhe po e trajtojnë rastin” – thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se ekipi i kujdestarisë nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është angazhuar në rast.





