Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (DHTNj) përgjatë periudhës kohore gusht – tetor 2025, ka realizuar disa plane operative të cilat kanë rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar.
Pas trajtimit të informacioneve dhe veprimeve hetimore dhe operative, DHTNj ka zhvilluar pesë plane operative në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajit dhe Pejës, me ç’ rast janë arrestuar 52 persona (femra dhe meshkuj) në mesin e tyre shtetasë kosovarë dhe shtetasë të huaj, të dyshuar për kundërvajten “Marrje me Prostitucion”.
Si rrjedhojë e këtyre planeve operative, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithësej 26 raste të cilat janë referuar tek gjykatat kompetente, për trajtim sipas procedurave.




