Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Gashi, i cili ka qenë ministër i Kulturës gjatë qeverisjes së PDK-së, në emisionin “Debat Përnime”, më 19.01.2025, foli për disa nga projektet që kanë planifikuar t’i realizojnë në Rajonin 04 (Prizren), në rast se rikthehen në pushtet.
Kjo parti e ka paraparë në programin zgjedhor ndërtimin e hekurudhës së re për lidhjen e Kosovës përmes Prizrenit me shtetet fqinje.
Gashi tha se një hekurudhë e tillë ndihmon zhvillimin ekonomik, por edhe transportin me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa për autostradën Prizren-Tetovë, ai tha se do ta ridizajnojnë atë.
“Natyrisht ky është projekt i shtetit të Kosovës që ka filluar. Si i tillë, përkundër defekteve të mëdha, ne do t’i adresojmë edhe problemet që i kanë banorët e Lagjes së Trimave dhe fshatit Hoçë. Këtë rrugë do ta realizojmë në afat rekord”- tha ai.
Projekt të rëndësishëm, Gashi tha që e kanë autostradën për Duhël, që kalon nëpër Lipjan, Ferizaj dhe bënë lidhjen me Shkupin. Sipas tij, kjo ndihmon lidhjen e Dukagjinit, të Prizrenit, Therandës dhe Malishevës.
Ndërsa për qytetin e Suharekës, ai premtoi se do të ndërtojnë unazën e qytetit me qëllim të lirimit nga trafiku i madh.
Kurse për Dragashin edhe Prevallën, Gashi tha se kanë paraparë ndërtimin e dy qendrave të skijimit.
Gashi tha se kanë filluar në komunë fizibilitetin e projektit për t’u furnizuar 24 orë në ditë me ujë nga Vërmica për 50 vitet e ardhshme./Kallxo.com/