Serbë të organizuar nga Këshilli për Bllokada i Serbisë pritet që të premten (sot) t’i bllokojnë të gjitha rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën. Institucionet në Kosovë kanë kërkuar nga qytetarët që të shmangin kalimin transit nëpër këto pika, e po ashtu edhe nga ajo me Malin e Zi, Kullë. E, njohësit politikë thonë se bllokadat e tilla janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.
Të premten (sot) të gjitha vendkalimet kufitare Serbi-Kosovë pritet të bllokohen nga serbët pas thirrjes së Këshillit Organizativ për Bllokada në Serbi.
Bllokada është paralajmëruar të bëhet në territorin e Serbisë, në rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën.
Për shkak të kësaj, institucionet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë kalimin nga Serbia.
Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë.
E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.
“Njoftohen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e mërgatës që planifikojnë të kalojnë transit përmes territorit të Serbisë dhe në PKK Kullë (Mali i Zi), të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në pikëkalimet kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, po ashtu edhe me PKK Kullë me Malin e Zi”, thuhet në njoftim.
Në këtë bllokadë është paralajmëruar se do të marrin pjesë vetëm qytetarët serbë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska për të kundërshtuar praninë e policisë së Kosovës në veri dhe aksionet e saj për mbylljen e institucioneve ilegale serbe.
Në veri, qytetarët serbë nuk pranuan të deklarohen nëse do t’i bashkohen kësaj proteste.
Por analisti politik Branislav Kërstiq ka thënë se serbët nga Kosova nuk do të marrin pjesë në bllokimin e rrugëve kufitare, pasi, sipas tij, ata e kanë të qartë se kjo mënyrë nuk e ndihmon situatën e tyre.
“Ato bllokada nuk kanë ardhmëri. Që d.m.th. për kë janë ato bllokada, për serbët e veriut të Kosovës ose për serbët nga komunat nga qendra e Kosovës, jo me siguri jo. Krejt kjo është vetëm një shenjë që Aleksandër Vuçiq është duke kontrolluar jo vetëm shtetin, median, institucionet, por edhe grupet ekstreme të cilat janë më duket në një pozitë me reagu me një pasojë që është kontraproduktive për serbët e Kosovës”.
Paralajmërimi për bllokadë u bë pak ditë pasi policia mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.
Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.