LAJME

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Gusht 2026, 15:03

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paraparë të hynte në fuqi nga 1 shtatori.

Sipas njoftimit të shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.

“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Shoqata ka bërë të ditur se fermerët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje.

Përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kanë dorëzuar të premten kërkesat e tyre në Ministrinë e Bujqësisë, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja.

Ata kanë kërkuar rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit. Po ashtu, kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që ta lëshojë një komunikatë zyrtare përmes së cilës do të konfirmohej siguria e produkteve të industrisë vendore për konsumatorët.

Një tjetër kërkesë është anulimi i vendimit të datës 15 maj 2026, me numër 1414, të nxjerrë nga Muja.

Qumështoret kërkojnë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të ndërmarrë masa konkrete për adresimin e çmimeve që Shoqata i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës, Gani Durmishaj, ka deklaruar se kërkesat janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.

Durmishaj pati paralajmëruar se, nëse kërkesat nuk plotësohen dhe institucionet nuk ndërmarrin masa konkrete, nga 1 shtatori 2026 qumështoret do të ndërpresin grumbullimin e qumështit nga fermerët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika