Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pas dy ditësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është duke qëndruar në Beograd të martën.
“Ne e pranuam ftesën e zotit Lajçak për t’u takuar në Bruksel pas dy ditësh, ku do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe shkon me një ekip të veçantë ekspertësh ku do të diskutojmë tekstin e statutit të Asociacionit, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së komunave serbe”, ka thënë Petkoviqi në një konferencë për media pas takimit mes Lajçakut dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku edhe Petkoviq mori pjesë.
Petkoviq ka shtuar se Vuçiqi në takim me Lajçakun ka vënë në dukje faktet për “kërcënimin e përditshëm të serbëve në Kosovë, dhe lëvizjet e shumta përshkallëzuese të kryeministrit Albin Kurti”.
Edhe në Qeverinë e Kosovës ditë më parë konfirmuan se më 16 nëntor në Bruksel zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të takohet me Petkoviqin, në nivel kryenegociatorësh. Bislimi pati thënë se dakordimi i vetëm për këtë takim është caktimi i tij.
Në fund të tetorit, pesë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, dorëzuan në Kosovë dhe Serbi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në takimet pasuese me liderët evropianë, kryeministri Albin Kurti kërkoi nënshkrimin e draftit si pjesë të pakos me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e zbatimit. Serbia refuzoi nënshkrimin.
Pas takimeve, liderët evropianë kërkuan që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit e nga Serbia jetësimin e njohjes de-facto.