LAJME

Përurohet rehabilitimi i Ibër-Lepencit, Kurti: Mbrojmë infrastrukturën jetike të Kosovës

Përurohet rehabilitimi i Ibër-Lepencit, Kurti: Mbrojmë infrastrukturën jetike të Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Gusht 2026, 17:38

Në Zhabarë të Zubin-Potokut është përuruar rehabilitimi i një pjese të kanalit të Ibër-Lepencit, projekt që synon forcimin e sigurisë ujore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend, raporton KosovaPress.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe drejtori i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se projekti përfaqëson një investim strategjik për mbrojtjen e kanalit, duke theksuar rëndësinë e tij për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Sot po e përurojmë përfundimin e një projekti madhor të Ibër-Lepencit për sigurinë ujore dhe mbrojtjen e kanalit. Pranë kësaj pjese të kanalit të ujit, që tani nuk është më i dukshëm, dhe për një arsye të mirë, sepse është rehabilituar dhe, me kërkesë të banorëve, këtu është mbuluar për ta rritur sigurinë për të gjithë. Prej se është ndërtuar në vitet e 80-ta, ky kanal ka qenë infrastrukturë jetike për Republikën e Kosovës. Kanali, që nis në këtë komunë dhe i përshkon 49 kilometra deri në Prishtinë, siguron ujin për termocentralet tona, që prodhojnë deri në 90 për qind të energjisë sonë, për tokën bujqësore në Rrafshin e Kosovës dhe për fabrikat e ujit të pijes që furnizojnë nëntë komuna me mbi 500 mijë banorë. Prandaj, mbrojtja e tij nuk është thjesht një çështje lokale dhe as vetëm teknike, është mbrojtje e përditshme e Republikës, e dritës në shtëpi, e ujit nga rubineti, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës nga ara”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se investimi prej 18 milionë eurosh nuk është vetëm reagim ndaj rreziqeve, por një hap drejt parandalimit të tyre dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve.

“Përmes këtij projekti, në vlerë prej 18 milionë eurosh, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit, si dhe është ndërtuar një rezervuar kompensues me kapacitet prej 30 mijë metrash kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente. Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut; ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet të vazhdojnë t’u ofrohen me cilësinë e duhur, pa ndërprerje. Ne zgjodhëm që përurimin e projektit ta bëjmë pikërisht në këtë vend, ku kanali dikur ka qenë rrezik për banorët, por ku sot ndërmarrja Ibër-Lepenc investon në infrastrukturë, punëson qytetarët dhe e përmbush misionin e vet për shtetin”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti ka rëndësi të veçantë për sigurinë ujore të Kosovës, duke rikujtuar se sulmi terrorist ndaj kanalit vitin e kaluar dëshmoi rëndësinë strategjike të kësaj infrastrukture.

“Është kënaqësi e veçantë të jem këtu sot për të përuar një projekt tejet të rëndësishëm për sigurinë e kanalit dhe sigurinë ujore të Republikës së Kosovës. Herën e fundit që kemi qenë këtu ka qenë përafërsisht para një viti, kur puna në këtë pjesë ka filluar, ndërkohë që kishin kaluar më pak se gjashtë muaj prej se ishte përfunduar rehabilitimi i asaj pjese të kanalit që ishte cak i një sulmi terrorist. Ky rast na bëri më së miri ta kuptojmë e ta ndiejmë thellë atë që të gjithë e dinim racionalisht: që Ujmani është jetik për sigurinë e vendit tonë, duke qenë jetik edhe për furnizimin me ujë dhe për rezervat ujore, duke pasur dy të tretat e rezervave të gjithë Republikës së Kosovës, por edhe për furnizimin me ujë të rreth 500 mijë banorëve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, shteti, institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike nuk janë aty vetëm për të reaguar kur ka sulme. Mirëmbajtja e rregullt dhe e duhur e infrastrukturës kritike është po aq e rëndësishme për sigurinë”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se projekti ka sjellë përmirësime të rëndësishme në funksionimin e kanalit.

“Ky projekt që po përurojmë sot ka dhënë tri rezultate kryesore: e para, e ka rehabilituar kanalin dhe ia ka rikthyer kapacitetin fillestar; e dyta, e ka përmirësuar cilësinë e ujit; dhe e treta, e ka modernizuar mënyrën se si monitorohet dhe menaxhohet e gjithë kjo infrastrukturë kritike. Rezultati i parë është rehabilitimi i plotë i 10 kilometrave të kanalit. Segmentet e dëmtuara janë veshur me beton të ri të armuar, ndërsa pjesët me dëmtime strukturore dhe rrjedhje aktive janë sanuar”, shtoi Rizvanolli.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vlerësoi bashkëpunimin institucional, duke thënë se projekte të tilla ndryshojnë qasjen ndaj banorëve të veriut të Kosovës.

“Unë po e falënderoj kryeministrin, mbi të gjithë të tjerët, juve, zonja ministre Rizvanolli. Keni treguar deri më tani veten që me të vërtetë jeni një person i përkushtuar për zhvillimin e secilit prej rajoneve të Kosovës. Unë gjithashtu po mbetem i përkushtuar, së bashku me juve, që t’i vazhdojmë këto projekte, të cilat në esencë e ndryshojnë krejt qasjen ndaj banorëve të veriut të Kosovës”, tha Rashiq.

Ndërkaq, drejtori i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, tha se projekti përbën një investim strategjik për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë.

“Ju falënderoj nga zemra për prezencën tuaj në këtë inaugurim kaq të rëndësishëm, siç është projekti ‘Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit’, që ndikon dukshëm në rritjen e stabilitetit dhe kualitetit të furnizimit me ujë, pikë së pari për KRU Mitrovica, KRU Prishtina dhe KEK-un, që janë ndër institucionet më të rëndësishme në vend. Projekti që po inaugurojmë sot po ndikon në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të furnizimit me ujë. Nuk është thjesht vetëm një investim në infrastrukturë, por një investim në sigurinë kombëtare, mirëqenien tonë dhe në ekonominë e vendit tonë. Uji është burim i çmuar i jetës dhe siguria e furnizimit me ujë është një prej prioriteteve kryesore për çdo shoqëri që synon zhvillim të qëndrueshëm. Ne po garantojmë që qytetarët e nëntë komunave të Republikës së Kosovës, si dhe impiantet e KEK-ut, do të kenë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ujë edhe në kohët më të vështira”, tha Mujka.

Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit ndodhi më 29 nëntor 2024 Zubin Potok, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe ndërprerje të sigurisë me ujë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika