Një gjobë prej 18 eurosh për një aksident trafiku mund ta lërë jashtë listës së kandidatëve numrin dy në listë të AAK-së, Shemsedin Dreshajn.
Dreshaj i ka thënë KOHËS se ky rast kishte të bënte me një gjobë të cilën e kishte paguar 3 vjet më parë.
“Është kundërshtuar dhe është kërkuar sqarim në KQZ në lidhje me çështjen time dhe besoj që do të zgjidhet puna, pasi është gjobë mbi 3 vjet e vjetër. Ta shohim si vendos KQZ-ja si institucion i pavarur, por për ankesa të mëtutjeshme vendosin organet e partisë”, ka thënë Dreshaj.
Përveç Dreshajt, në listën e AAK-së janë edhe tre persona të tjerë të dënuar që janë verifikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës: Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.
Një gjobë prej 90 eurosh mund ta lërë jashtë listave edhe Labinotë Demi-Murtezin e Vetëvendosjes, nga e cila parti ngjashëm në listë janë përfshirë edhe kryetari i saj, Albin Kurti dhe anëtarja e kryesisë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu e Bajram Mavriqi.
Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë të VV-së mbetet ajo që ishte dhe se ai do të jetë bartës liste.
“Unë jam bartës i listës, i cili i respekton dhe e përfill me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet që mbrojnë të drejtat e të gjithë neve”, ka thënë Kurti.
Në listën e të dënuarve nga LDK-ja ka qenë edhe Xhavit Ukaj për shkak të kanosjes së një prokurori të Prizrenit, mirëpo LDK-ja e ka zëvendësuar këtë person me familjarin e tij, Florent Ukaj.
“Të gjithë duhet t’i respektojnë vendimet e institucioneve të drejtësisë dhe këtu nuk duhet të ketë asnjë dallim. LDK-ja ka pasur një kandidat, i cili s’do të certifikohet, të cilin do ta zëvendësojmë sot”, ka deklaruar Avdullah Hoti, kryeministër në detyrë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës i dënuar ka qenë Argjend Tasholli me gjobë prej 300 eurosh, por që PDK-ja ka njoftuar se e ka respektuar vendimin e Kushtetueses dhe e ka larguar nga lista këtë person duke e zëvendësuar me Alban Bislimajn.
Sipas burimeve, nga Nisma nuk u lejohet kandidimi 12 personave, ndër ta Endrit Shalës për gjuajtje me armë, Aziz Thaqit për raportim të rremë të pasurisë, Vesel Krasniqit, Besnik Berishës, Filloreta Bytyqit e Musa Fetahajt.
Nga Lista Serbe nuk i lejohet kandidimi Milan Aritonoviçit, i dënuar për deklarim të rremë të pasurisë.
Për moscertifikimin e kandidatëve nga KQZ-ja, partitë politike mund të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e deri në Gjykatë Supreme, proces që duhet të përmbyllet deri më 31 janar.