LAJME

Përplasje në Kuvend për propozimin e Bordit të ZRRE-së, opozita kritikon përzgjedhjen e kandidatëve

Përplasje në Kuvend për propozimin e Bordit të ZRRE-së, opozita kritikon përzgjedhjen e kandidatëve
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Tetor 2026, 12:50

Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurën për zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), me opozitën që ka kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të propozuar nga Qeveria.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka bërë të ditur se Kuvendi do të zgjedhë me votim të fshehtë dy nga katër kandidatët e propozuar për anëtarë të bordit, me mandat pesëvjeçar.

Kelmendi ka shprehur mbështetjen e Grupit Parlamentar të LVV-së për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të ZRRE-së.

“Kuvendi të zgjedh me votim të fshehtë dy nga katër kandidatët e propozuar nga Qeveria për anëtar të bordit të ZRRE-së me mandat pesëvjeçar. Emrat janë si vijon, Driton Gojani, Lutfie Dervishi, Hana Jakupi dhe Senat Bolluzerti. Po ashtu në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së shpreh mbështetjen për zgjedhjen e anëtarëve të bordit duke pas parasysh se është shumë e rëndësishme funksionalizimi i këtij institucioni”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka ngritur kritika lidhur me kriteret mbi të cilat Qeveria ka përzgjedhur katër kandidatët.

“Për sa i përket këtij procesi të votimi deputetet kanë pranuar një listë të kandidatëve të rekomanduar për votim, por, shtrohet pyetja se mbi çfarë kriteri janë zgjedhur këta katër emra që kanë propozuar kuvendit për votim. Nga lista e vlerësimeve që kemi pranuar, shohim që nuk janë rekomanduar kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të pikëve për vlerësim, por, janë propozuar të zgjedhën kandidat që janë nga fundi i listës për vlerësimin që kanë marrë. Për çka ka shërbyer ai proces i vlerësimit dhe intervisitmit të kandidatëve…Ky proces është imporvizim, nuk ka të bëjë me zgjedhjen e kandidatëve më të mirë për bordin e ZRRE-së, por, përkundrazi është proces i politizuar me të cilin dëshironi t’i dërgoni kandidatët e juaj të preferuar”, tha Mustafa.

Kritika ka pasur edhe nga LDK-ja. Deputeti Ermal Sadiku ka thënë se komisioni vlerësues ka renditur 13 kandidatët në bazë të pikëve, përvojës së punës dhe shkollimit, por se në listën e Qeverisë nuk janë përfshirë kandidatët më të vlerësuar.

Edhe deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka kërkuar sqarime, duke thënë se në dosjen e dorëzuar në komision nuk ka pasur arsyetim se pse nuk është ndjekur renditja e bërë nga komisioni rekomandues.

“Në dosjen që kemi marrë në komision nuk është asnjë arsyetim i vetëm pse nuk është përfill lista sipas komisionit rekomandues”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbrojtur procedurën e ndjekur nga Qeveria, duke thënë se konkursi ka qenë transparent dhe se kandidatët janë vlerësuar nga ekspertë të fushës.

Ajo ka kundërshtuar pretendimet se kandidatët e propozuar nuk i plotësojnë kriteret, duke thënë se dallimet në pikë mes kandidatëve nuk janë aq të mëdha sa është pretenduar.

“Kishte një konkurs i cili ishte transparent me një komision të përbërë nga ekspert të fushës. Sipas ligjit ky komision ekspertësh bëri vlerësimin e kandidatëve të cilët kishin aplikuar dhe ja dorëzoi qeverisë listën e kandidatëve të cilët ata i kanë konsideruar të emërueshem. Të thuhet se këta kandidat nuk i plotësojnë kriteret, nuk është e saktë. Ju lutem së pari të mos keq informoni…Diferencat për tëq cilat po flisni janë 10 pikë, dallimi është rreth 70 dhe 80 për qind”, ka thënë Rizvanolli.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka thënë se vetë ministrja ka pranuar se kandidatët janë vlerësuar nga ekspertët, por se Qeveria nuk e ka respektuar renditjen e bërë nga komisioni.

“Vet tha ministrja se kanë qenë dy ekspert të fushës, ndërsa nuk po ja njeh renditjen në bazë të vlerësimit të tyre. E rikthen të qeveria atë që po themi ne dhe zgjidhen në bazë të perceptimit tyre në plotësimin tha të këtyre fushave që nuk po ju besojka dy eksperteve shumë eminent të fushës”, tha Zemaj.

Rizvanolli i është përgjigjur Zemajt duke thënë se përzgjedhja e kandidatëve është në diskrecion të Qeverisë.

“Qeveria sigurisht se ka njohur rezultatin dhe janë sjellë personat. Është në diskrecion të qeverisë të bëjë përzgjedhjen. Tregova si e kemi bërë përzgjedhjen, nëse kjo nuk ju pëlqen më vjen keq. Nëse doni të bëni këtë përzgjedhje duhet të fitoni votat dhe të vini në qeveri”, tha Rizvanolli.

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Komisionin Zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE)./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika