Qeveria nuk ka ndërmarrë veprime në funksion të pastrimit të listave të veteranëve të UÇK-së, ani se për këtë ishte zotuar kryeministri Albin Kurti. Brenda një viti lista është rritur për 50 persona. E, derisa në Ministrinë e Financave nuk treguan nëse gjykatat kanë arritur ta vërtetojnë ndonjë rast të veteranëve të rrejshëm gjatë vitit të kaluar, disa prokurori kanë nisur t’i pushojnë hetimet
Në Ministrinë e Financave nuk kanë treguar se në çfarë procesi vlerësimesh kanë kaluar personat që kanë marrë statusin e veteranit dhe nuk e bënë të ditur as përbërjen e Komisionit vlerësues. Por kanë thënë se tani numri i veteranëve është 36 mijë e 875, pa saktësuar nëse ndonjë nga përfituesit paraprakë të statusit është larguar nga lista. Nga Ministria kanë dhënë tri arsye për largim nga lista, por nuk kanë konfirmuar nëse ndonjërit nga ta i është ndërprerë pensioni për shkak të vendimeve gjyqësore.
“Arsyet e largimit të personave nga listat mund të jenë: kalimi i personave në skema të tjera pensionale, rastet e vdekjeve të personave, si dhe punësimi i personave në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Në Ministri nuk treguan nëse gjykatat kanë arritur ta vërtetojnë ndonjë rast të veteranëve të rrejshëm gjatë vitit të kaluar.
Por në organin e akuzës treguan për rastet e dyshimta për statusin e veteranit, të cilat i kanë në trajtim.
Deri në vitin 2022, Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur rreth 100 aktakuza dhe ka në punë 557 aplikacione të dyshuara.
“Prokuroria Themelore në Pejë aktualisht është duke i shqyrtuar 32 dosje, 557 aplikacione të statusit të veteranëve të luftës. Gjithashtu, shumë dosje nga kjo prokurori janë deleguar në prokurorit përkatëse për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Pejës.
Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë ngritur gjithsej 46 aktakuza, në atë të Prishtinës 4 sosh dhe 16 raste ndodhen në proces hetimi, në Prokurorinë e Gjilanit 6 aktakuza, e në të Ferizajt 2 sosh.
Ndërkaq, Prokuroria e Prizrenit prej kohësh ka pushuar hetimet për të 162 kallëzimet penale, të cilat i ka pranuar.
pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se në Prokurorinë Themelore në Prizren, gjatë vitit 2021 janë pranuar 145 kallëzime penale kundër 145 personave, ndërsa gjatë vitit 2022 janë pranuar 17 kallëzime penale kundër 17 personave, për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve’ nga neni 398, dhe ‘legalizimi i përmbajtjes së rreme’ nga neni 403 sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Kodi Nr.04/L-82). Në të gjitha këto raste kemi pushim të hetimeve”, thuhet në përgjigje.
Avokati Taulant Hodaj nuk e fajëson tërësisht sistemin e drejtësisë për situatën me veteranë të rrejshëm.
Ai ka thënë se listat mund të pastrohen me vullnet të politikës.
“Pa të drejtë iu ka hedhur kjo barrë sistemit të drejtësisë. Këto parregullsi janë shkaktuar nga politika apo nga komisionet përkatëse dhe është dashur të korrigjohen këto dhe të mos i lihet barrë sistemit të drejtësisë. Ashtu-kështu sistemi i drejtësisë është i ngulfatur. Nëse do të vepronte një Komision përkatës ku do të bëhej pastrimi i listave nuk do të kishte nevojë për sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar Hodaj.
Kryeministri Albin Kurti ishte zotuar se listat e veteranëve të UÇK-së do të pastroheshin. Por në Qeveri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për veprimet e mundshme që janë ndërmarrë në funksion të mbajtjes së këtij premtimi.
Qeveria pati propozuar hartimin e një ligji të ri për verifikim të veteranëve dhe ishte thënë se deri në përfundim të procesit të verifikimit do të jepet përkrahje në punësimin e veteranëve përmes masave aktive të tregut të punës, duke subvencionuar një pjesë të pagës për një periudhë të caktuar.
Rreth 75 milionë euro është shuma e buxhetit vjetor që ndahet për pensionet e mbi 36 mijë veteranëve të luftës.
Ndarja e statusit të veteranëve ishte përcjellë me dyshimet se listat ishin fryrë.