Studimin e bërë për nevojat e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, ku thuhet se Qeveria e Albin Kurtit është rrëzuar nga “një operacion dezinformues amerikan”, e ka kritikuar edhe Partia Demokratike.
Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, thotoë se përmes këtij raporti, është sulmuar Amerika përmes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
Bytyçi, thotë gjithashtu se “një gjë është e sigurt, ky raport i rrejshëm për PE që flet për dezinformim nuk e ka qëllim Kosovën, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Rusia dhe Kina në vazhdimësi kanë ndërhyrë në vende të ndryshme të botës përmes dezinformimit dhe lajmeve të rrejshme, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet në Amerikë. Qëllimi i këtij raporti ka qenë padyshim që përmes një rezolute me dënu rrëzimin e Qeverisë Kurti nga zyrtarët amerikanë përmes dezinformimit”, thotë Bytyçi përmes një shkrimi në Facebook.
Sipas Bytyçit, ata që janë prapa këtij raporti kanë gjetur edhe aleatë në Kosovë.
“Pra, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje këtu kanë qenë vetëm mjet për një qëllim më të madh. Për fat të keq, siç po duket nga përmbajtja ata që janë prapa këtij raporti kanë gjetur edhe aleat në Kosovë. E majta në Evropë, një pjesë e cila ndikohet e financohet nga Rusia, përmes këtij raporti kanë synuar që të përfshijnë e të akuzojnë qeverinë amerikane për rrëzimin e një qeverie legjitime demokratike. Metoda se si është bërë duke filluar me një raport, i cili pastaj trajtohet e formalizohet përmes një rezolute, është metodë e njëjtë që Rusia kishte bërë me raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës”, thotë Bytyçi.
Bytyçi, gjithashtu ka bërë thirrje që kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministria e Jashtme të reagojë për këtë raport.
“Raporti që e lexuam sot është dezinformatë, megjithatë shteti i Kosovës duhet të reagojë. Kryeministri i vendit dhe MPJD duhet të reagojnë zyrtarisht përmes instrumenteve diplomatike. Është e vërtetë se Amerika nuk ka nevojë për mbështetjen tonë, mirëpo siç thotë norma jonë zakonore, në kanun, shtëpia e shqiptarit është shtëpi e Zotit dhe mikut. Në thelb, sot përmes këtij raporti, është sulmuar Amerika përmes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Ne nuk duhet të heshtim!”, shkruan Bytyçi.