LAJME

PDK-ja me kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë

PDK-ja me kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave në detyrë
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Gusht 2026, 11:48

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka njoftuar se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të LVV-së të cilët sipas tij, mbajnë funksione të dyfishta – ministra dhe deputetë.

Ai ka thënë se kallëzimi penal do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale.

“Moszbatimi i vendimeve gjyqësore i gjykatave të rregullta të Kosovës është vepër penale dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme në rastin e Hekuran Muratit dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, përbënë vepër të pastër penale dhe kërkohet reagimi i shtetit”, ka thënë ai.

Gruda ka shtuar se duke mbajtur funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro nga Qeveria në detyrë.

Sipas tij, kjo situatë nuk mund të vazhdojë.
Gruda ka thënë se nuk janë në negociata me LVV-në dhe nuk u intereson se çfarë bën Kurti.

Ka akuzuar Kurtin se e ka shkatërruar dialogun politik mes partive.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka thënë se sot është dita e 18-të e bllokadës së re, pas qindra ditëve të bllokadës që sipas tij është shkaktuar nga LVV-ja.

Ka shtuar se është duke u dëshmuar mungesë e vetëdijes institucionale dhe kombëtarë në mirëmbajtjen e institucioneve dhe promovimin e sigurisë kombëtare.

Ka shtuar se Qeveria në detyrë është duke bërë shkelje të njëpasnjëshme.
Ramadani ka përmendur edhe kallëzimin  penal që  ka dorëzuar Aleanca sot.

“Thelbi i situatës që gjendet Kosova është moskonstituimi i Kuvendit. Në Kosovë ekziston një temë e madhe politike dhe ajo është bllokada e institucioneve. Ata e kanë vendos ta dërgojnë vendin serish në zgjedhje dhe verimet tjera janë alibi për të gjetur një datë e cila iu konvenon”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për presidentin duhet marrëveshje politike, duke shtuar se për marrëveshje partiake si Aleancë nuk janë të interesuar.

Ka shtuar se nëse merren parasysh 6 pikat e paraqitura nga Aleanca, mund ta bëjnë kuorumin në Kuvend./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika