Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tashmë ka dy përgjigje zyrtare lidhur me qëndrimin e tij për krijimin e një qeverie të tranzicionit. Pro një takimi janë shprehur PDK dhe AAK, por që të dy këto parti kanë thënë se preferojnë më shumë një “qeveri të opozitës”. Eksponentë të Vetëvendosjes e kanë kundërshtuar ashpër këtë propozim, duke u lëshuar edhe në sulme ndaj LDK’së, por komunikatë të lëshuar nga partia s’ka ende. Ngërçi po vazhdon. Dje dështoi edhe seanca e 12’të për konstituimin e Kuvendit.
Pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me qëndrim mbi propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjen e presidentit të ri, vitin e ardhshëm.
Pas mbledhjes së Kryesisë, kjo parti ka lëshuar komunikatë ku ka thënë se nuk do të shmangen nga asnjë takim që mund të çojë në zhbllokim të situatës, por preferenca e tyre është një qeveri e formuar nga partitë që derivonë ishin në opozitë.
Por, takimi thotë se duhet të thirret nga Presidentja,, duke shtuar se një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale.
“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik”, thuhet në komunikatë.
Aty theksohet nevoja që Kosova të konstituojë institucionet sa më parë.
“Njëkohësisht, PDK i bën thirrje koalicionit VV – GUXO – Alternativa që të mos abuzojë edhe më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit, por, të pranojë realitetin politik dhe të reflektojë për të mos e mbajtur peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake”, thuhet tutje.
Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën e Abdixhikut për takim ditën kur ai e bëri publik propozimin. Edhe ai, tha se angazhohet për “qeveri të opozitës”.
Mirëpo, dje para seancës deklaroi se ai nuk do të pranonte të marrte pjesë në një takim konsultativ për qeveri tranzicionale nëse në tavolinë është edhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Ftesa për konsultë nuk ka gjë të keqe. Nuk ndryshon qëndrimi sa i përket qeverisë së opozitës, por po ashtu nuk na pengon ftesa e LDK-së për konsulta”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se do të pranonte takime bilaterale me LDK-në apo trilaterale me LDK-në dhe PDK-në.
Pas dështimit të seancës së djeshme, Hykmete Bajrami, tha se propozimi i LDK-së është “e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar procesin”.
Ajo deklaroi se nuk kanë vendosur kushte, duke shtuar se subjekt i diskutimit do të jetë edhe çështja e Kryetarit të Kuvendit.
“Nuk jemi të interesuar të kemi një qeveri me LVV-në. I kemi ftuar të gjithë, i mirëpresim të gjithë. Nuk kemi vendosur asnjë kusht sepse gjithçka do të jetë subjekt i diskutimit të përbashkët”, tha Bajrami.
Nga VV propozimi është cilësuar “jo serioz”.
Deputeti i VV’së, Hekuran Murati, tha se LDK-ja me propozimin e saj për qeveri të tranzicionit po sillet si në kohën e UNMIK-ut.
Sipas tij, opozita ka mbetur pa një zgjidhje tjetër dhe propozimin për një qeveri transicionale e ka nxjerr si kartën e fundit.
“Refuzojnë ftesat për bashkëpunim, refuzojnë zgjidhjen me votim të fshehtë, e akuzojnë Vetëvendosjen për bllokim. Kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër, pos hipokrizi. Deri tani as nuk është vënë në testim votimi i fshehtë. Tani kur ka filluar që pagat të rrjedhin nuk po u bëhet dert. Përgjigjja u dha një ditë me herët nga një zëdhënës, një ditë me pas u zyrtarizua nga kryesia, vendimmarrja në këtë rast është zhvendosur nga kryesia e organet në një vend tjetër. Përgjigjja e tillë neve na befasoi. Tani e kanë nxjerr edhe kartën e fundit si në kohën e UNMIK-ut. Kjo nuk është serioze”, tha Murati.
Edhe përfaqësues të komuniteve jo-shumicë, që janë pjesë e kabinetit qeveritar në detyrë, kanë dalë kundër këtij propozimi, duke pretenduar se janë lënë jashtë, pavarësisht se përmenden në letër si pjesë e kësaj qeverie.
Elbert Krasniqi, nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), e kritikoi ftesën e kryetarit te Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, që partitë politike shqiptare të bëhen bashkë për një qeveri tranzicionale.
“Kjo qasje përjashtuese nuk është në frymën e Republikës së Kosovës, në frymën multietnike të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi, përkrah Emilija Rexhepit, nga Partia e Re Demokratike, dhe Nenad Rashiqit, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Përpjekja për konstituim të Kuvendit ka dështuar edhe dje. Lëvizja Vetëvendosje ka provuar sërish të ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit në formë të fshehtë, por ka dështuar.
Partitë sërish janë deklaruar kundër dhe nuk kanë propozuar anëtarë për Komision. Në sallë ishin të pranishëm 113 deputetë.
“Kemi 56 deputetë që kanë dhënë votën pro, një kundër dhe asnjë abstenim”, ka deklaruar Dehari.
Pas dështimit të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë seancën.
Kandidatja e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.
PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.
Përpjekja tjetër për konstituim vazhdon të premten, në 10:00./Reporteri.net