OPINIONE

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi – sfidë për të drejtat kombëtare dhe test i përgjegjësisë parlamentare

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi – sfidë për të drejtat kombëtare dhe test i përgjegjësisë parlamentare
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Nëntor 2026, 23:27

Opinion nga Refik Hasani

Unifikimi për të garuar me një listë të përbashkët përmes “Koalicionit Shqiptar”, si dhe mbajtja e zgjedhjeve për Parlamentin e Serbisë më 25 tetor të muajit të kaluar, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm.

Megjithatë, bazuar në rezultatet përfundimtare të shpallura dje nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, rezultati i arritur përfaqëson një realitet konkret politik, i cili, ndonëse është i qartë dhe i konfirmuar zyrtarisht, nuk përputhet plotësisht me pritshmëritë paraprake.

U arrit ky rezultat pasi u siguruan dy ulëse, përkatësisht dy mandate deputetësh, në legjislaturën e re të Parlamentit të Serbisë.

Ajo që do të duhej të shpërfaqej në këtë trajtim është se pasivizimi i adresave, përmes ushtrimit sistematik të pushtetit shtetëror, përbën një formë të diskriminimit etnik, ku janë hequr votuesit me të drejtë vote edhe nga regjistrat e votuesve.

Si pasojë e heqjes dhe fshirjes së adresave, të njohur si pasivizim, janë prodhuar efekte administrative, demografike dhe politike tepër të dëmshme e diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbajtura më 25 tetor, kjo pati ndikim të drejtpërdrejtë, pasi së paku dy deputetë nuk arritën të siguronin mandate, për shkak se qytetarët shqiptarë të pasivizuar janë hequr nga regjistrat e votuesve.

Përmes pasivizimit të adresave po ndërmerren veprime administrative sistematike, ndërsa heqja e të drejtës së votës po ndikon në tjetërsimin e strukturës demografike dhe elektorale në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Humbja dhe cenimi i të drejtave elementare individuale dhe kolektive të shqiptarëve, si dhe mohimi i përfaqësimit, tregojnë se Serbia po zbaton në heshtje një strategji të qartë, përmes së cilës, me veprime konkrete, po synon të shpopullojë zyrtarisht rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Mendohet se çdo i katërti shqiptar, si shtetas i Serbisë, që i përket nacionalitetit shqiptar nga Komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Komuna e Bujanocit, është i pasivizuar. Ose, e shprehur në shifra, mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë mbeten të pasivizuar nga adresat e tyre.

Si pasojë e gjithë këtij procesi të cilësuar si spastrim etnik, apo më saktë diskriminim përmes pasivizimit, bazuar në hulumtimin dhe në Ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin (“Gazeta Zyrtare e RS”), nr. 87/2011, i cili po vazhdon të zbatohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese, janë prekur kryesisht shqiptarët në Serbi.

Pasivizimi ka kontribuar drejtpërdrejt në dobësimin demografik, politik dhe institucional të shqiptarëve. Ai i ka privuar ata nga mundësia e pjesëmarrjes në jetën publike dhe politike, me ndikim në zvogëlimin e rolit të shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi.

Dy deputetët shqiptarë nga “Koalicioni Shqiptar” në Parlamentin e Serbisë e kanë obligim ndaj votuesve që të ngrenë alarmin dhe të ndërmarrin veprime konkrete. Ata do të duhej që, me prioritet, të adresonin pyetje parlamentare me shkrim në seancat e para të kësaj legjislature, në formën e interpelancës, për të kërkuar sqarime, informacione apo llogaridhënie nga ministria përkatëse dhe kryeministri.

Po ashtu, duhet të kërkohet publikimi i numrit të të pasivizuarve, përmes një liste në gjithë Serbinë, si dhe krahasimi me nacionalitetet e tjera joshqiptare në komunat e Serbisë.

Deputetët shqiptarë kanë obligim ndaj votuesve që të ngrenë alarmin, të njoftojnë dhe të sinjalizojnë për këtë çështje, si dhe të ndërmarrin veprime emergjente, duke kërkuar dhe insistuar edhe në ngritjen e një komisioni të ngarkuar për hetimin e pasivizimit.

Por, edhe të kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave diskriminuese dhe mundësimin e hetimeve të pavarura e transparente, duke siguruar dhe garantuar pasqyrimin e numrit të saktë të qytetarëve të pasivizuar, si dhe rikthimin e të gjitha adresave të pasivizuara të shqiptarëve në Serbi.

Qeveria e re e Republikës së Serbisë duhet të sigurojë që të gjitha procedurat administrative të jenë transparente, të kontrollueshme dhe të zbatohen njësoj ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike.

Ajo do të duhej të reflektonte dhe të ndryshonte narrativën dhe diskursin që kishte ndjekur e udhëhequr pushteti i Aleksandar Vuçiqit.

Qeveria është përgjegjëse për ndalimin e pasivizimit të adresave, eliminimin e praktikave diskriminuese dhe garantimin e të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Jo vetëm deputetët e kësaj legjislature, por edhe institucionet përkatëse duhet të angazhohen që pasivizimi t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë dhe të paanshëm të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe transparencës, si dhe monitorimit ndërkombëtar dhe parimit të mosdiskriminimit.

Lista studentore drejt pushtetit në Serbi mund të konsiderohet si shpresë për ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve dhe demokratizimin e vetë Serbisë.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika