OPINIONE

Baraliu: Marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së mund të dështojë për shkak të mosbesimit politik

Baraliu: Marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së mund të dështojë për shkak të mosbesimit politik
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Gusht 2026, 10:06

Analisti politik Ramadan Baraliu vlerëson se një marrëveshje e mundshme mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) mund të pengohet nga qasja mosbesuese mes dy subjekteve politike.

Sipas Baraliut, kjo përbën një problem thelbësor që mund të ndikojë në krijimin e një partneriteti politik mes tyre.

“Marrëveshje mes LDK-së e VV-së me gjasë mund të mos kemi për shkak të qasjes mosbesuese. Ky është një problem kardinal përmbajtësor ku mund të ngecë ky partneritet”, ka deklaruar Baraliu.

Ai ka thënë se nëse subjektet e tjera politike nuk e përkrahin një president jashtë strukturave aktuale politike, atëherë vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.

“Nëse subjektet e tjera nuk e përkrahin një president jashtë strukturave aktuale politike, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë ose dimër! Nuk mund t’i kërkosh dikujt partneritet duke i thënë ‘ti s’je bash tamam’, edhe pse i ke marrë gjithë ato vota qytetare”, është shprehur ai.

Baraliu ka kritikuar gjithashtu argumentin se posti i presidentit duhet t’i takojë LDK-së për të “balancuar pushtetin”, duke e konsideruar këtë qasje si shenjë të mungesës së besimit të plotë ndaj partnerit të ardhshëm të koalicionit.

Sipas tij, një qasje e tillë krijon përshtypjen se koalicioni do të ndërtohej mbi mosbesim politik dhe se presidenti do të shihej si një mekanizëm kontrolli ndaj kryeministrit.

“Problemi, në këtë rast, nuk është marrëveshja politike për ndarjen e posteve, por narrativa që e shoqëron atë”, ka theksuar Baraliu.

Ai ka argumentuar se, në sistemin parlamentar të Kosovës, balancimi i pushteteve nuk realizohet përmes presidentit, por përmes mekanizmave të tjerë institucionalë.

“Balancimi i pushteteve realizohet përmes Kuvendit, i cili ushtron kontroll parlamentar ndaj Qeverisë, gjyqësorit që garanton kontroll ligjor, Kushtetueses që garanton kontrollin kushtetues, si dhe institucioneve të pavarura, medias dhe shoqërisë civile që ushtrojnë mbikëqyrje demokratike”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, presidenti, në bazë të Kushtetutës, është përfaqësues i unitetit të popullit dhe ushtron kompetenca përfaqësuese e ceremoniale, por nuk ka rol kontrollues ndaj Qeverisë.

Për këtë arsye, ai vlerëson se përdorimi i konceptit të “balancimit” për të arsyetuar kërkesën për postin e presidentit krijon paqartësi rreth rolit kushtetues të këtij institucioni.

“Nëse synimi është një partneritet më i barabartë në koalicion, kjo mund të argumentohet si ndarje e përgjegjësive politike dhe institucionale, por jo si balancim kushtetues i kryeministrit”, ka deklaruar Baraliu.

Në përfundim, analisti thekson se debati nuk duhet të fokusohet vetëm te pyetja se cila parti do ta marrë postin e presidentit, por edhe te mënyra se si kuptohet dhe interpretohet funksioni i këtij institucioni.

Sipas tij, presidenti duhet të shihet si simbol i unitetit dhe garant i rendit kushtetues, e jo si kundërpeshë politike ndaj Qeverisë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika