Edhe pse që 17 vjet Kosova është pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA, asnjëherë nuk e kishte pasur të mundur të përfaqësohet nga zyrtarët e saj shtetërorë.
Nga tash e tutje, Kosova nuk do të përfaqësohet më në CEFTA nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK-u, por nga zyrtarët e saj.
Kështu u vendos të enjten më 09.10.2024 në takimin e CEFTA-s të mbajtur në Beograd, njoftoi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në konferencë për media.
“Nga sot ju njoftoj se Kosova do të përfaqësohet me zërin e saj … Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK-ut është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta”- tha Hajdari.
Edhe pse takimi i CEFTA-s u mbajt në Beograd për shkak se Serbia e ka aktualisht Presidencën e CEFTA-s, nuk ka pasur asnjë vështirësi që të merret ky vendim.
Këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, tha që falë këtij vendimi, në takimin e CEFTA-s kanë arritur të merren 13 vendime të cilat më parë nuk kanë mundur për shkak se Kosova ka kërkuar që të përfaqësohet vet.
“Kosova fatkeqësisht do të vazhdojë të përfaqësohet me asterisk, bazuar në një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2012 …”- tha Zulfaj.
Ai përkujtoj që kërkesën për t’u përfaqësuar vetë Kosova e ka bërë që nga viti 2021.
“Nuk erdhi largimi i UNMIK-ut vetvetiu, por ka pasur veprim nga Qeveria e Kosovës”- tha ai.
Ministrja Hajdari ka marr pjesë virtualisht në takimin e sotëm të CEFTA-s.
Këtij vendimi rrugën ia hapi zhbllokimi i mallrave nga Serbia në pikën kufitare në Merdare.
Para konferencës, ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se ky “lajm i mirë” për Kosovën dhe gjithë rajonin.
“Vërtet një lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe tani e tutje, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë organ rajonal!”- ka shkruar ambasadori në platformën X.
Kryeministri Kurti më 7 tetor 2024 tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i sigurojnë Kosovës skanerë se sipas tij vetë i na kanë thënë se do të përpiqen t’ua sigurojnë.
Që nga viti 2007, për Kosovën në CEFTA kishte folur UNMIK-u.
CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës. Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.
Vendimmarrja në CEFTA, ishte bllokuar për shkak se Qeveria ka kërkuar që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.
Muajve të fundit Gjermania kishte rritur presionin ndaj Kosovës për zhbllokimin e mallrave serbe.
Në emër të Gjermanisë, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, disa herë me radhë gjatë muajve të fundit paralajmëroi se ndalimi i mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s.
Sarrazin kishte ashpërsuar diskursin duke thënë se mu për këto arsye se Kosova mund të përjashtohej nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.
“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.
Më 14.10.2024 në Berlin do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.