Me ardhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ndryshojë edhe strategjia e kryetarit të PD-së, Sali Berisha për të luftuar heqjen e non-gratës nga administrata e kaluar.
Në konferencën për mediat, ai tha se do të lobojë pranë administratës së re, gjë që nuk e ka bërë deri tani për shkak se ishte në proces gjyqësor.
“Dalim tek rasti im. Ai është një oqean, ky është një pikë ujë në oqean. Natyrisht unë gjer sot, kam pasur një vendim që nuk bëj lobim, nuk kërkoj që të heqin vendimin se i kam hedhur në gjyq, tani padiskutim do të kërkoj sipas rregullave që kanë, të shqyrtohet një vendim që ka në bazë, lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit. Kaq. Do marr iniciativë për të kërkuar nga administrata e re sipas rregullave që ekzistojnë që ky vendim strikt anti-opozitë, ky grusht shteti brenda shtetit, ndaj forcës politike opozitare të Shqipërisë, të marrë fund. Sigurisht do të kërkoj”, tha Berisha.
Sipas tij, rikthimi i Donald Trump në pushtet është shpëtimi i familjes nga ndryshimi i gjinive. “Për mua, për ato vlera që besoj, ky është shpëtimi. Se ata filluan dhe këtu, në kopshte, prindi 1 e prindi 2, pastaj të dilte 3-shi, fëmijë pa prind, me ferma grash. Prunë ligjin në parlament. Kështu që këto ndikime nuk u kuptuan shumë nga njerëzit, por ishin shkatërrimi i familjes dhe identitetit. Njeriu i ri i Xhorxh Sorosit ishte përtej njeriut të ri të Marksit. Njeriu i ri i Marksist shkonte në një botë pa shtete e fe, por nuk shkonte pa gjini. Nuk e kishte të tillë. Ndaj dhe e kam vlerësuar si një mrekulli për njerëzimin, fitoren e tij”.
/GazetaSinjali/