Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm të shkaktuar nga mjetet piroteknike, duke theksuar se nga ta është kërkuar ndalimi i përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësirat publike, mirëpo që sipas tyre kjo kërkesë nuk është trajtuar me seriozitet nga komuna.
Në reagimin e tyre theksohet se ky aksident i shkaktuar nga fishekzjarrët është pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit dhe neglizhencës nga ana e komunës.
Po ashtu, nga dega e VV-së njëherazi kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryetarit Shaqir Totaj, si dhe llogaridhënie për të gjitha shpërdorimet dhe papërgjegjësitë që e kanë shoqëruar mandatin e tij deri më tani.
Më poshtë reagimi i plotë i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren:
Në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj papërgjegjshmërisë dhe keqmenaxhimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Kërkesa jonë e qartë dhe e drejtpërdrejtë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësirat publike u prit me injorim dhe tallje nga kryetari, duke dëshmuar se për të, rendi publik, shëndeti dhe siguria e qytetarëve nuk janë prioritare.
Aksidenti i fundit tragjik i shkaktuar nga fishekzjarrët është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij keqmenaxhimi dhe neglizhence. Ky incident, i cili mund të ishte shmangur, është tregues i qartë se menaxhimi i Komunës është bërë me arrogancë dhe pa përgjegjësi ndaj interesave të qytetarëve.
Për ne, është e papranueshme që një kryetar komune t’i shmanget detyrës së tij dhe t’i injorojë thirrjet për veprime konkrete që kanë të bëjnë me jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Komuna e Prizrenit nuk meriton një udhëheqës që e trajton menaxhimin publik si një lojë dhe qytetarët si të parëndësishëm.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit Shaqir Totaj, si dhe llogaridhënie për të gjitha shpërdorimet dhe papërgjegjësitë që e kanë shoqëruar mandatin e tij deri më tani. Prizreni meriton një udhëheqje që kujdeset për jetën, shëndetin, rendin dhe qetësinë publike – jo një kryetar që luan me fatin e qytetarëve.
Ne do të vazhdojmë të angazhohemi pa kompromis për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj kërkesave të tyre.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
1 janar 2025