Partia Unike Gorane (Jedinstvena Goranska Partija – JGP) ka shprehur shqetësimet e banorëve të Gorës dhe të disa fshatrave të komunës së Dragashit, duke përfshirë Restelicën, Brodin, Zlipotokun, Globoçicën, Dragashin, Radeshën, Leshtanin, Kukalanën, Krstecin, Rapçën dhe vendbanime të tjera të zonës.
Përmes një komunikate për media, kjo parti ka bërë të ditur se gjatë periudhës së fundit ka pranuar ankesa të shumta nga qytetarët, si individuale ashtu edhe kolektive. Sipas këtij subjekti politik, si përfaqësues të komunitetit goran dhe pjesë e qeverisjes lokale në Komunën e Dragashit, thonë se ndjejnë përgjegjësi për të reaguar ndaj problemeve dhe parregullsive të raportuara nga qytetarët.
Në komunikatë thuhet se ndër shqetësimet më të shpeshta të ngritura nga banorët janë mungesa e transparencës në shpenzimin e fondeve publike, sjellja e papërshtatshme e disa personave që ushtrojnë funksione publike, keqpërdorimi i pronës shoqërore dhe forma të tjera të abuzimeve që, sipas partisë, dëmtojnë interesat e Gorës dhe të komunitetit goran.





